Dy të arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë aksionit të Prokurorisë Speciale në “Pallatin e Rinisë”

Lajme

Dy të arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë aksionit të Prokurorisë Speciale në “Pallatin e Rinisë”

Më: 7 tetor 2024 Në ora: 11:42 Përditësuar në ora: 12:26 më 07.10.2024
Policia e Kosovës

Aksioni në “Pallatin e Rinisë, deklarohen nga ndërmarrja: Po bashkëpunojmë me autoritet përkatëse

Bordi i Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Lokale (NPL) “Pallati i Rinisë” Sh.A. ka bërë të ditur se po bashkëpunon plotësisht me autoritetet përkatëse në lidhje me hetimin e nisur nga njësia e krimeve ekonomike.

Në një njoftim për opinionin publik, Bordi i Drejtorëve ka konfirmuar se kanë ofruar qasje të plotë në Pallat dhe kanë hapur të gjitha të dhënat e kërkuara nga hetuesit.

“Jemi duke bashkëpunuar plotësisht me autoritetet përkatëse. Ne kemi ofruar dhe do të vazhdojmë të ofrojmë qasje të plotë në Pallat, si dhe kemi hapur të gjitha të dhënat tona sipas kërkesave të tyre”, thuhet në njoftim.

Pallati i Rinisë siguron se qasja e hapur ndaj procesit hetimor do të vazhdojë me qëllim të lehtësimit të hetimit dhe ndriçimit të çdo aspekti të rëndësishëm.

Qasja jonë e plotë dhe e hapur ndaj procesit hetimor do të vazhdojë, me qëllim lehtësimin e hetimit dhe ndriçimin e çdo aspekti të rëndësishëm”, theksohet në njoftim.

Bordi i Drejtorëve ka falënderuar publikun për mirëkuptimin dhe mbështetjen, duke nënvizuar përkushtimin e tyre për të bashkëpunuar deri në përfundimin e hetimeve.

Ndryshe një aksion është zhvilluar mëngjesin e sotëm në këtë ndërmarrje me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Nga kjo Prokurori për Telegrafin kanë theksuar se janë arrestuar dy persona nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”.

Dy të arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë aksionit të Prokurorisë Speciale në “Pallatin e Rinisë”

Dy persona janë arrestuar gjatë një aksioni i cili është duke u zhvilluar sot me urdhër të Prokurorisë Speciale në Ndërmarrjen Publike “Pallati i Rinisë”, nën dyshimin “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”.

Lajmin e bëri të ditur zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi.

“Ju informoj se me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës është duke u zhvilluar një aksion në Ndërmarrjen Publike ‘Pallati i Rinisë’.

Deri më tani kemi të ndaluar dy persona të dyshuar për kryerjen e veprave penale që ndërlidhen me ‘Keqpërdorimin e detyrës zyrtare’. Pas përfundimit të aksionit do të informoheni për detaje tjera”, ka thënë Kozmaqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat