Procesi i Berlinit: Dhjetë vjet në dhomën e pritjes së BE-së

Lajme

Procesi i Berlinit: Dhjetë vjet në dhomën e pritjes së BE-së

Më: 10 tetor 2024 Në ora: 08:38
Konferenca e parë e Procesit të Berlinit, në gusht në Berlin

Aleksandra Tomaniç drejton European Fund for the Balkans, një fondacion rajonal me seli në Beograd. Kur planifikon një aktivitet në Sarajevë, ajo duhet të mendohet dy herë, para se të ftojë edhe pjesëmarrës nga Kosova. "Për kosovarët, udhëtimi është i ndërlikuar dhe kërkon shumë kohë, pasi ata duhet fillimisht të udhëtojnë në Shkup për të aplikuar për vizë. E njëjta gjë vlen edhe për boshnjakët që duan të udhëtojnë në Kosovë", thotë Tomaniç pa e fshehur zhgënjimin që regjimi i vizave mes Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës është ende në fuqi.

Ndërkohë që dy vjet më parë dukej se gjërat do të përmirësoheshin: Në nëntor të vitit 2022, krerët e qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia – nënshkruan tri marrëveshje mobiliteti, ku ranë dakord për lëvizje të lirë me karta identiteti, njohjen e diplomave universitare dhe disa kualifikime profesionale. Deri më sot, zbatimi i këtyre marrëveshjeve ka ngecur. "Kjo nuk është premtimi i vetëm i pambajtur i Procesit të Berlinit," thotë Tomaniç.

Një nismë e improvizuar

Procesi i Berlinit u iniciua në vitin 2014 me nismën e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel për të mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugëtimin e tyre drejt BE-së. Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, kishte shpallur më parë një "pauzë zgjerimi". Merkel, e cila ishte e shqetësuar se kjo do të sillte destabilizimin e rajonit, i ftoi qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor në një konferencë në Berlin. Pjesëmarrës ishin gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe dhjetë vende të BE-së: Përveç Gjermanisë, merrnin pjesë edhe Austria, Franca, Italia, Polonia, Bullgaria, Greqia, Kroacia dhe Sllovenia, si edhe Britania e Madhe, e cila ishte pjesë e BE-së.

Që nga viti 2014, janë mbajtur samite vjetore në qytete të ndryshme evropiane si Vjena, Londra, Parisi, Trieste, Poznani, Sofja, Berlini dhe së fundmi Tirana. Çdo vit, vendet pritëse shtonin nga një prioritet të vetin, i cili shoqërohej me nga një ministerial. Ndërkohë numri i ministerialeve dhe takimeve tematike është shumë i madh. Sot, organizohen ministeriale vjetore për bashkëpunim ekonomik, shkëmbime rinore, siguri, digjitalizim, energji të gjelbër, bujqësi, ministerial për romët dhe ministerial për çështjet gjinore. Takimi i dhjetë po mbahet sërish në Berlin. Samitit në zyrën e kancelarit Olaf Scholz, më 14 tetor, i kanë paraprirë një sërë takimesh në forume të ndryshme dhe në nivele të ndryshme ku janë diskutuar këto dhe tema të tjera./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat