Arrestohet Adnan Cani në aksionin e Policisë në Gjilan, kërkohej për rrëmbimin e të riut nga Presheva

Lajme

Arrestohet Adnan Cani në aksionin e Policisë në Gjilan, kërkohej për rrëmbimin e të riut nga Presheva

Më: 21 tetor 2024 Në ora: 14:45
Adnan Cani

Policia e Kosovës ka arritur ta arrestojë Adnan Canin, i shpallur në kërkim për rastin e rrëmbimit të një të riu në Preshevë, para disa muajsh. Pas një aksioni të zhvilluar mbrëmë në Gjilan, Cani ra në prangat e Policisë dhe tashmë është dërguar në mbajtje.

37-vjeçari i njohur me nofkën ‘Amigo’ dyshohet për këtë rast që u denoncua në muajin korrik, ndërsa i njëjti u shpall në kërkim më 27 shtator.

Operacioni policor u zhvillua në lokalin e tij, ku i njëjti u kap dhe u shoqërua në Polici.

Ndaj tij, pas intervistimit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe brenda afatit ligjor do të ushtrohet kërkesë për masën e sigurisë.

Cani, i cili është nga Llashtica e Gjilanit, pronar i lokalit “Amigo” në këtë fshat, po dyshohet se e ka rrëmbyer djalin 17-vjeçar të familjes Shabani në Preshevë.

Borxhi që i ka futur në sherr palët lidhet me shitjen e një sasie të drogës nga ana e të dyshuarit.

“Amigo” dyshohet se ia kishte dërguar vëllait të viktimës rreth 40 kilogramë drogë – për të cilat ka kërkuar hiç më pak se 100 mijë euro dhe konflikti mes tyre plasi pasi ai nuk arriti t’ia paguajë të dyshuarit shumën për të cilën janë marrë vesh.

Substanca narkotike, e llojit marihuanë, që ishte dërguar nga Cani në Preshevë, dyshohet se ishte e paraparë që të transportohet në kryeqytetin serb, Beograd.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat