Bordi i RTK-së ka njoftuar se ka pranuar zyrtarisht letrën e dorëheqjes së pakthyeshme të Zëvendës Drejtorit të Përgjithshëm, Adi Krasta.
“Në këtë mbledhje, kryetarja njoftoi anëtarët e Bordit se ka pranuar zyrtarisht letrën e dorëheqjes së pakthyeshme të Zëvendës Drejtorit të Përgjithshëm, Adi Krasta, dhe shprehu falënderimet e sinqerta për punën dhe kontributin e tij të vlefshëm në Radio Televizionin e Kosovës. Në veçanti, Bordi e vlerëson përkushtimin e z. Krasta në organizimin dhe zhvillimin e Festivalit të Këngës në RTK. Bordi i uron z. Krasta suksese të mëtejshme në rrugëtimin e tij profesional dhe angazhimet e tjera”, thuhet në njoftim.
Gjatë mbledhjes së sotme Bordi i RTK-së ka shqyrtuar pikën e rendit të ditës mbi votimin për hapjen e zarfeve për konkursin e drejtorit të përgjithshëm.
“Gjatë diskutimeve, zyrtari ligjor ka sqaruar të gjithë bazën ligjore për të trajtuar këtë proces më tej, duke theksuar se tejkalimi i afatit paraqet bazë për anulimin e konkursit, kjo për të mos cenuar ndonjë të drejtë të aplikuesve ose procesin e rregullt të konkursit”, thuhet në njoftim.
Me këtë rast, anëtarët e Bordit, me shumicë votash, kanë votuar kundër hapjes së zarfeve pas kalimit të afatit të përcaktuar, duke anuluar kështu procesin e konkursit për drejtor të përgjithshëm.
Nga ana tjetër, juristja e medias, Flutura Kusari bëri të ditur se ka dështuar sërish edhe përzgjedhja e drejtorit gjeneral të RTK-së.
“Sapo dola nga mbledhja e bordit të RTK-së. Konkursi për drejtor gjeneral të RTK-së dështoi. Nuk u diskutua rishpallja e konkursit ndërsa u tha që bordi ka nevojë për kohë shtesë për caktimin e u.d drejtorit gjeneral.
Bordi njoftoi që Adi Krasta ka dhënë dorëheqje”, ka shkruar Kusari.
Këto vendime janë marrë sot në mbledhjen e bordit të RTK-së, e cila ka filluar 16:15.