Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe para pllakatës të vendosur për heronjtë Xhelal Hajda-Toni, Selajdin Mullabazi-Mici, Bektesh Haliti, Hamdi Hajrizi dhe Nezir Ymeri, që ranë në luftën e fundit në Rahovec.
Në një postim në Facebook, ai ka deklaruar se heroizmi i tyre është drita jonë udhërrëfyese.
“Xhelal Hajda-Toni, Selajdin Mullabazi-Mici, Bektesh Haliti, Hamdi Hajrizi dhe Nezir Ymeri, emra që do të jehojnë përgjithmonë në historinë tonë”.
“Sakrifica e tyre sublime na frymëzon çdo ditë për të çuar përpara idealet e lirisë dhe pavarësisë. Këta trima na mësojnë se dashuria për atdheun është më e fortë se çdo sfidë”.
“Sot i shoqëruar nga kryetari Smajl Latifi e shumë bashkëpunëtorë, nderuam guximin e tyre të pashembullt që mbetet frymëzim për brezat që vijnë”, ka thënë Haradinaj.