Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste të grave që përjetojnë dhunë në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes.
Një rast i tillë ka ndodhur edhe mbrëmë në Fushë Kosovë, ku u arrestua një person i dyshuar për dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe për armëmbajtje pa leje.
Konflikti ndodhi në banesën e tyre, ku i dyshuari fillimisht ka pasur mosmarrëveshje me gruan dhe më pas të njëjtën e ka sulmuar fizikisht, duke e kërcënuar edhe me armë.
Për të mos mbaruar me kaq, burri i dyshuar i ka ftuar familjarët e gruas, babanë dhe vëllain e saj, me të cilët po ashtu ka pasur përplasje, që d7yshohet se ka eskaluar edhe në të shtëna.
Rasti është denoncuar menjëherë në Polici dhe si rezultat janë ndërmarrë veprimet e nevojshme.
Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe konfiskuar një armë pa leje dhe dhjetëra fishekë, që i dyshuari i mbante pa autorizim.
Me të përfunduar procedurat policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor ndaj tij dhe inicimin e hetimit.