Gjatë ditës së sotme televizioni Klan Kosova ka bërë të ditur largimin e Atilla Kardesh nga shtëpia e Big Brother VIP Kosova 3, duke transmetuar pamjet e momentit të largimit të tij.
Ky vendim i televizonit vjen pas një reagimi të fortë në publik nga shoqëria civile dhe institucione të ndryshme, përfshirë edhe Ministrinë e Drejtësisë.
Reagimet u intensifikuan pas hyrjes së tij në të njëjtën shtëpi me ish-bashkëshorten e tij, Drenusha Latifi, e cila në të kaluarën e ka akuzuar Kardesh për dhunë dhe ka qenë e pajisur me urdhër mbrojtjeje.
Aktivistja e shoqërisë civile, Neri Ferizi komentoi largimin e Atillës nga ky reality-show ku tha se televizioni në fjalë ka marrë një mësim të mirë sepse nuk bëhet senzacion me viktimat e dhunës.
Sipas Ferizit më e mira do ishte që ky reality-show të mbyllej komplet pasi promovon vetëm dhunë racizëm e ngacmime.
“Më e mira do të ishte të mbyllej ai “reality show”, pasi që në vazhdimësi ka pasë promovim të dhunës, ngacmime, homofibi, racizem e dhunë psiqike”, tha Ferizi.
Më tej aktivistja tha se “media në fjalë na ka treguar që për përfitim financiar dhe për shikueshmeri, janë në gjendje të bëjnë transaksione me jetët e grave , duke përquar një mesazh shumë të keq, sidomos tek viktimat e dhunës”.