Shqiptarët nuk duan t’i çojnë djemtë ushtarë në Serbi

Lajme

Shqiptarët nuk duan t’i çojnë djemtë ushtarë në Serbi

Më: 10 nëntor 2024 Në ora: 09:00
Serbia planifikon të rikthejë shërbimin ushtarak të detyrueshëm.

Presidenti  i Serbisë, Aleksandër Vuçiq së fundmi ka kërkuar që shërbimi ushtarak atje të bëhet i detyrueshëm. Nga ky vendim, preken edhe të rinjtë e tri komunave shqiptare në Kosovën Lindore, ata nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja. Andaj liderët politikë shqiptarë e shohin me shqetësim krejt këtë situatë. 

Pas rreth 14 vitesh, Serbia planifikon të rikthejë shërbimin ushtarak të detyrueshëm.

E kjo nismë, është miratuar në ekzekutivin serb dhe së shpejti pritet që të vihet në votim edhe në Parlamentin e Serbisë.

Ne këtë vendim preken edhe shqiptarët që jetojnë në tri komunat e Kosovës Lindore.

Të rinjtë e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës janë të detyruar të i përgjigjen kësaj thirrje nëse kalon në institucionin legjislativ.

Për këtë, deputeti shqiptar atje, Shaip Kamberi ka kërkuar që pakicat të mos përfshihen pasi familjet shqiptare nuk kanë besim në institucionet e Serbisë.

Nga ana tjetër, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu thotë se shqiptarët janë më të urryerit në Serbi momentalisht.

E kryetarët e komunave të Preshevës dhe Bujanocit thonë se këtë lajm e kanë parë si shumë shqetësueses për qytetarët.

Qeveria serbe ka paralajmëruar që shërbimi i detyrueshëm ushtarak, i cili është hequr më 1 janar të vitit 2011, do të rikthehet në vitin 2025. Nga koha kur është hequr, njerëzit kanë shkuar në ushtri vetëm vullnetarisht.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat