Një fëmije 11-vjeçar i është shpëtuar jeta në QKUK, pas komplikimeve që kishte pësuar si pasojë e pakujdesisë, ku një figurë e shahut I kishte kaluar në rrugët e frymëmarrjes.
Kështu ka njoftuar SHSKUK-ja nëpërmjet një postimi në Facebook.
Sipas postimit, fëmija së pari ishte sjellë nga familjarët në QKUK me vështirësi të theksuara në frymëmarrje dhe saturim të oksigjenit – 69.
Nga Shërbimi Klinik Emergjent, i mbështetur me oksigjeno-terapi, ai është transferuar në sallën e Klinikës së Otorinolaringologjisë (ORL) të QKUK-së, ku edhe bëhet Trakeobronkoskopia me bronkoskop rigjid dhe arrihet të largohet trupi i huaj (figurë shahu) nga rrugët e poshtme të frymëmarrjes.
“Ndërhyrja ishte shumë e vështirë për shkak të dimensionit të madh të trupit të huaj dhe pozitës së tij në rrugët e frymëmarrjes. Ekipi operatorë i udhëhequr nga Dr.Refki Krasniqi, specialist i ORL-së, në mbështetje ishin edhe Dr.Arsim Elezaj, ekipi i Klinikës së Anesteziologjisë, Dr. Dafina Kurti, Dr. Eranda Dragusha, teknik i anestezisë, Afrim Jashari specializantët, Dr. Dafina Restelica, Dr. Adelina Laçaj , instrumentare, Ganimete Sylmetaj. Ekipi i Emergjencës në përbërje të Dr. Kadri Çeta, teknikët e emergjencës Shkelzen Bresilla, Arta Makolli”, thuhet më tutje në njoftim.