Varrosen dy të rinjtë që u vranë në Klinë, Hoxha u bën thirrje qytetarëve që të edukojnë fëmijët larg dhunës, pa armë

Lajme

Varrosen dy të rinjtë që u vranë në Klinë, Hoxha u bën thirrje qytetarëve që të edukojnë fëmijët larg dhunës, pa armë

Më: 15 nëntor 2024 Në ora: 14:45
Xhevat Kryeziu

Në varrezat e fshatit Jashanicë sot iu dha lamtumira e fundit Albison dhe Rexhep Slivovës, dy të rinjve që u vranë të mërkurën mbrëma në një kafene në qendër të Klinës.

Familjarë e miq u mblodhën tek varrezat aty ku në një ceremoni fetare u varrosën dy anëtarët e familjes Slivova.

Pas varrimit të Albison dhe Rexhep Shlivova, të cilët u vranë ditën e mërkurë me armë zjarri në një lokal në qendër të Klinës, hoxha Xhevat Kryeziu ka adresuar një apel për qytetarët që edukojnë fëmijët për një jetë pa dhunë dhe pa armë.

“Ne sot morëm pjesë në një varrim të dy djemve të rijnë që fatkeqësisht vdekja e tyre ishte e dhimbshme, e rënd e motivuar. Por, apeloj te populli shqiptar që t’i edukojmë fëmijët tanë, familjet tona, njerëzit tanë që të mos vijmë te më e keqja se vetëm Zoti ka të drejt të ia merr shpirt, ne të tjerët nuk kemi të drejt. Unë kam ndërmjetësuar parmbrëmë, kam qenë tek familja Shlivova, një familje e fort, ka qenë një pritje e jashtëzakonshme. Kemi filluar që ta normalizojmë situatën, që t’i ftohim gjakrat. Dhe po shpresojmë që në këtë familje do të jemi të shohim se çka do bëjmë”, tha hoxhë Kryeziu.

Hoxhë Kryeziu ka thënë se pavarësisht së gjakmarrja është ndalur, rastet e vrasjeve nuk po ndalen.

“Unë vij nga lëvizja e pajtimit të gjaqeve, këto 35 vite jemi marr me këtë fenomen, por fatkeqësisht që nuk po ndalen rastet. Por, kemi arritur të bëjmë një punë të madhe dhe e kemi ndalur gjakmarrjen. Kemi punuar që të mos bëhet hakmarrje. Vrasjet po bëhen, por gjak-marrjet s’po bëhen. Kështu që urojmë që i madhi Zot të na ndihmoj që të mos kemi as gjak-marrje, as vëlla vrasje se na duhet jeta, na duhet bashkimi. Vetëm kur jemi të bashkuar arrijmë synimet tona, qëllim tonë, në këtë rrugëtim të shtetndërtimit tonë. Vetëm kur jemi të bashkuar, kur jemi unik është arritja dhe fitorja jonë”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat