Punojnë, por nuk paguhen

Lajme

Punojnë, por nuk paguhen

Më: 18 nëntor 2024 Në ora: 06:15
Foto ilustrim

Me shtimin e popullsisë në Fushë Kosovë– edhe nevojat për shtim të asistentëve për fëmijët me aftësi të kufizuar janë rritur. E përkundër angazhimit të tyre, ka raste që nuk po paguhen.

Nevoja për punësimin e asistentëve të cilët kujdesen për fëmijët me aftësi të kufizuar është rritur në Komunën e Fushë Kosovës.

Por rekrutimi i tyre për këtë komunë jo rrallë herë po paraqet sfida.

Problemi kyç është buxheti.

“Në momente të caktuara vijnë, i rekrutojmë, shkojnë dhe fillojnë punën e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme dhe në fund të muajit përballen me mungesën e pagës”, thotë Fatlum Berisha, drejtor i Arsimit në Fushë-Kosovë.

E gjithë kjo sipas Berishës është edhe për shkak të rritjes së popullsisë dhe shtimit të normave.

“Ministria e Arsimit sipas tyre e bën planifikimin e normave në komunën e Fushë Kosovës sipas numrit të nxënësve, mirëpo është Ministria e Financave ajo e cila thirret në regjistrimin e numrit të popullsisë të vitit 2011 dhe komunës së Fushë Kosovës i takojnë kaq norma edhe në sistemin e arsimit, edhe në shëndetësi por edhe në sistemin e administratës së përgjithshme. Ne po shpresojmë që regjistrimi i popullsisë në vitin 2025-2026 do ta zgjidhë këtë problem”, shprehet Berisha.

Lidhur me pagesën e asistentëve, ekspertët e arsimit kërkojnë një zgjidhje të qëndrueshme.

“Duhet të adresohet në takimet që i kanë Ministria me drejtoritë komunale të arsimit, sidomos edhe Ministria e Financave, për të cilat kuadro duhet të ketë fond të veçantë të financimit. Duhet një zgjidhje e qëndrueshme, duhet marrëveshje mes gjithë aktorëve sepse nuk është fajtor as ai që ia nisë punës e se di që s’ka me u pagu”, thotë Ismet Potera.

Media ka kërkuar nga Ministria e Financave një qëndrim lidhur me situatën në komunën e Fushë Kosovës, mirëpo deri në publikimin e kronikës, të njëjtët nuk kanë kthyer përgjigje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat