Përfaqësues të Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur kishin planifikuar të gërmojnë në tri lokacione në Serbi deri në përfundim të këtij vitit. Por në momentin e fundit Serbia e shtyu procesin për vitin tjetër.
Pavarësisht faktit se janë arritur disa marrëveshje për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, Serbia është duke e zvarritur këtë proces tash e sa vjet.
Vetëm gjatë këtij viti ka pasur rreth 8 takime në kuadër të grupeve punuese, mirëpo rezultatet në terren nuk kanë qenë të kënaqshme.
Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur, tregon se deri në fund të vitit ishin planifikuar gërmime në 3 lokacione të ndryshme brenda territorit të Serbisë.
Gara tregon se në momentin kur filluan përgatitjet për gërmim në fshatin Kozhle, iu erdhi njoftimi nga zyrtarët serb se ky proces do të shtyhet për vitin tjetër.
“Ka pasur pajtim që në pjesën e mbetur të këtij viti të kemi të paktën 3 lokacione të shënjuara në territorin e Serbisë për gërmim vlerësues. Po flasim për lokacionin Kozhle, Kozarev, dhe në lokacionin Batajnic në afërsi të Beogradit. Më gjithë përpjekjet që të fillohet me gërmime në Kozhle ashtu siç ishte planifikuar, neve na erdhi njoftimi që procesi i gërmimit do të shtyhet për vitin e ardhshëm” , thotë Gara
Gara thotë se kjo çështje do të zgjidhej më shpejtë, vetëm nëse do të kishte presion më të madh ndërkombëtar.
Në anën tjetër, drejtori i Instituti të Mjekësisë Ligjore, Ditor Haliti, tregon se me cilat sfida përballen ekipet e mjekësisë ligjore në Serbi.
“Kemi mungesë të informatave nga pala serbe, përkundër faktit që i kemi zbuluar 5 varreza masive në territorin e Serbisë. Ne besojmë se ka ende trupa të fshehur brenda territorit të Serbisë që ne duhet t’i kërkojmë. Na duhet përkrahje edhe faktori ndërkombëtar për ta zbuluar lokacionin e tyre”, shprehet Haliti.
Haliti tregon së në disa lokacione në Serbi janë ndërtuar edhe objekte mbi varrezat masive.
“Në Rudnic në jug të Serbisë ka qenë një objekt i ndërtuar mbi varreza masive. Në një lokacion tjetër në Kizhevak ka qenë një minierë që na e ka vështirësuar shumë punën në aspektin mjekoligjor” , thotë ai.
Janë edhe rreth 1 mijë e 595 persona të zhdukur që nga lufta e fundit në Kosovë.