Në Edicionin e sontëm të Rubikonit, u diskua edhe rreth investimeve kapitale të realizuara nga Qeveria e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti.
Në debatin lidhur me këtë pikë pati një përplasje mes analistit politik Dardan Sejdiut dhe ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Lidhur me investimet kapitale Sejdiu tha se Qeveria çdo vit ka nën performancë.
“Edhe në vitin 2023 nën performon”, tha Sejdiu.
“Një ministër tjetër i qeverisë, për të njëjtin vit tregon për numër rekord të arritjes në ekonomi. Tash s’po e kuptoj cila është e vërteta juaj? A është e vërteta ajo se çka thotë ministri i financave, apo është ajo se çka thotë ministri i Kulturës?”, u shpreh ai.
Në anën tjetër me këto konstatime nuk u pajtua kreu i MKRS-së, i cili paraqiti të dhënat nga dy vitet e fundit të investimeve kapitale.
“Në dy vitet e fundit kemi rritje serioze të buxhetit në investime kapitale. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave shpenzimet kapitale në vitin 2023, janë më të lartat në historinë e vendit në total prej 561 milionë euro të ekzekutuara. Gjatë nëntë muajve të vitit 2024 kemi rritje prej 23 për qind të investimeve kapitale krahasuar me vitin paraprak”, tha Çeku.
Derisa buxheti për vitin 2025, ekzekutivi e ka paraparë se do të jetë 3.6 miliardë euro.
Projektligji për buxhetin është votuar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës.