Incidentet te lokalet e ndryshme, sidomos ato që frekuentohen edhe pas mesnate janë goxha të shpeshta në Kosovë. Kërcënime, përleshje e konflikte të tjera janë vetëm disa nga rastet që ndodhin, por jo gjithmonë denoncohen në Polici. Kështu ka ndodhur në fillim të këtij muaji, te një restorant në Prizren, ku një person u sulmua dhe organet e rendit nuk u njoftuan.
Media ka mësuar se rasti ka ndodhur te dera e restorantit me muzikë live ‘Skenderbeu’ në Prizren, më 2 nëntor.
Policia ka nisur hetimet në lidhje me këtë rast.
Sinjali merr vesh se për rastin janë intervistuar dy viktimat si dhe janë identifikuar dy të dyshuar, njëri prej të cilëve është arrestuar.
Bëhet fjalë për Dac Kastratin, pronarin e restorantit me muzikë live ‘Skenderbeu’ në Prizren.
Ai është intervistuar në prezencë të avokatit të tij dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Si ndodhi rasti dhe kush janë viktimat?
Një grup prej disa personave fillimisht kanë pasur një konflikt verbal me viktimën, që dyshohet se ka nisur brenda restorantit dhe më pas ka vazhduar jashtë.
Raportohet se viktimë e këtij rasti është Avni Bytyqi.
Në pamjet që posedon redaksia, shihen disa persona teksa dalin nga restoranti dhe tre prej tyre afrohen te viktima Avni Bytyqi, vazhdojnë fjalosjen teksa në një moment, njëri papritmas e godet, e rrëzon përtokë dhe vazhdon ta sulmojë.
Sulmi ka ndodhur pas orës 22:00 dhe personat që shihen në pamje nuk ndërhyjnë për ta ndaluar të dyshuarin, por vetëm vëzhgojnë teksa e rrah.
Pas këtij momenti ka ndërhyrë vëllai i Avniut, Ilirjani, i cili, shkon ta ndihmojë atë.
Por, përfundon i rrahur edhe ai.
Ky rast nuk është denoncuar dhe kjo është konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Prizren.
Për të marrë një deklaratë nga restoranti pse nuk e kanë raportuar përleshjen dhe për detajet e tjera, media ka kontaktuar gjatë ditës pronarin Dac Kastrati, i cili u arrestua në mbrëmje.
Kastrati ka deklaruar gjoja se nuk ka qenë në dijeni që ka ndodhur ndonjë përleshje, duke tentuar të arsyetohet se nuk i intereson nëse diçka ndodhë jashtë restorantit – megjithëse në pamje shihet se personat në fjalë dalin nga aty dhe pikërisht para derës nis rrahja.
“Nuk maj në mend unë. Jashtë restorantit ndodhin nashta…sa myshteria hin e del, sa myshteria fjaloset, mu s’më intereson. Aty dalin myshteria, vijnë mysafirë prej tjerave restorante, kanë bo fjalë në restorane tjera, ngatërrohen.“
Sipas informacioneve të para, disa nga personat që shihen në pamje janë familjarë të Kastratit, për çka ai tha se nuk ka ndonjë informacion.
“Me pasë qenë prezent familjarët e mi prezent, e kisha ditë rastin. Unë nuk e kom pa atë rast, nuk e di atë rast. Nëse familjarët e mi kanë mshefë, po më duket e paarsyeshme. S’kom kurrfarë informacione.“
Në bisedën e parë me Kastratin, redaksia përmend emrin e viktimës dhe të vëllait të tij – i cili po ashtu dyshohet se është sulmuar, por ai thotë se nuk i njeh se kush janë.
Por, pas disa minutash, i nervozuar e revoltuar, Kastrati telefonon sërish se siç duket iu “kujtuan” emrat e viktimave në këtë rast, duke i quajtur ‘drogirasha’ e ‘kriminela’.
“Për asi drogirasha, për asi narkomana, për asi që jonë kriminela të qytetit, që e dhunojnë një qytet, kurrë mo mos më pyet…”, thotë Dac Kastrati.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.