Gjykata Kushtetuese e Serbisë ka refuzuar ankesën e Safet Demirit nga Medvegja për kthimin e adresës së tij.
Kështu ka njoftuar kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, duke shtuar se institucioni më i lartë i Drejtësisë në Serbi e legalizoi pasivizimin e adresave.
Lutfiu shtoi se ky vendim i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë, hap rrugën për trajtimin e rastit në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
“Edhe Gjykata Kushtetuese ka refuzuar ankesën e Safet Demirit nga Medvegja për kthimin e adresës, që do të thotë edhe institucioni më i lartë i Drejtësisë në Serbi e legalizoi pasivizimin e adresave. Safetit i është hapur rruga për në Strasburg dhe ai do ta ndjekë atë. Ky spastrim etnik duhet të ketë verdikt ndërkombëtar, prandaj i ofroj mbështetjen time të plotë Safet Demirit”, thuhet në njoftimin e Lutfiut.
Shqiptarët e Luginës në vazhdimësi kanë ngritur çështjen e pasivizimit të adresave, duke e cilësuar si veprim që rrezikon t’i izolojë nga të drejtat bazë dhe qasje në shërbime shtetërore.