Presidenti serb Aleksandar Vuçiq deklaroi se Serbia mohon pa mëdyshje çdo përfshirje në sulmin e fundit në kanalin Ibër-Lepenc, duke thënë se “akuzat e pabaza ndaj Serbisë, të bëra me nxitim dhe pa asnjë provë, janë thellësisht të papërgjegjshme dhe shqetësuese”.
Vuçiq njoftoi përmes Instagramit se pretendime të tilla të pabaza kanë për qëllim dëmtimin e reputacionit të Serbisë, si dhe minimin e përpjekjeve për të promovuar paqen dhe stabilitetin në rajon.
“Kur akuzat bëhen kaq shpejt dhe pa bazë, ngre një pyetje legjitime për motivet e këtyre deklaratave. A po përpiqen të largojnë vëmendjen nga njohuritë e tyre apo përfshirja e mundshme në incident ata që drejtojnë gishtat me nxitim pa prova?” pyeti Vuçiq.
Serbia, siç thekson ai, kërkon me vendosmëri një hetim të plotë, të paanshëm dhe transparent të këtij “akti sabotazhi”.
“Ne u bëjmë thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të ndihmojnë në zbulimin e së vërtetës dhe të sigurojnë që përgjegjësit të mbahen përgjegjës”, tha Vuçiq.
Përveç mbështetjes së përpjekjeve hetimore, Serbia është e gatshme të ofrojë asistencë teknike, financiare dhe logjistike për të zbutur pasojat e këtij sulmi, shtoi Vuçiq.
“Oferta jonë përfshin ekspertizë në rehabilitimin e kanalit, mbështetje financiare për restaurim dhe furnizim plotësues me energji elektrike në zonat e prekura për të siguruar që jeta e qytetarëve të mos rrezikohet”, përfundoi Vuçiq.