Vuçiq në konferencë për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit: Kemi disa dyshime

Lajme

Vuçiq në konferencë për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit: Kemi disa dyshime

Më: 1 dhjetor 2024 Në ora: 10:02 Përditësuar në ora: 11:31 më 01.12.2024
Aleksandër Vuçiq

Vuçiq: Po zhvillojmë hetim për shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të dielën se autoritetet serbe po zhvillojnë një hetim për një shpërthim ndaj një kanali të Ibër-Lepencit në veri të Kosovës, duke i hedhur poshtë përsëri akuzat e autoriteteve kosovare se Beogradi ka gisht në sulmin ndaj infrastrukturës jetike kosovare.

Shpërthimi mbrëmjen e së premtes i shkaktoi dëme të konsiderueshme kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, duke rritur frikën se shumë pjesë të vendit do të mbeteshin pa ujë dhe rrymë.

"Përveç që nuk kemi asnjë lidhje me këtë, ne kemi qenë aq të drejtë dhe, si një shtet serioz, nuk jemi marrë me akuza dhe nuk kemi thënë se ai sulm është urdhëruar drejtpërdrejt nga Kurti”, tha Vuçiq duke iu referuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, i cili e akuzoi Serbinë për “dirigjimin” e këtij sulmi “terrorist dhe kriminal”.

Ai tha se hetimet do ta zbardhin të vërtetën, sepse “edhe ne po zhvillojmë hetimin tonë”.

“Kemi disa dyshime të caktuara, por hetimi do të tregojë se kush e ka urdhëruar. Mendoj se kemi disa njohuri për atë se kush mund të jetë kryerësi”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se, derisa kjo të përfundojë, publiku nuk do të njoftohet ose "të fajësohet dikush tjetër" dhe tha se është i gatshëm të ofrojë bashkëpunim me të gjithë, përfshirë edhe për Prishtinën zyrtare.

Autoritetet e sigurisë njoftuan të shtunën vonë se tetë të dyshuar u arrestuan gjatë një aksioni të gjerë në veri të Kosovës në lidhje me këtë sulm që thanë se ishte më i rëndi ndaj infrastrukturës kritike të vendit që nga paslufta.

Vuçiq i akuzoi autoritetet kosovare se arrestuan “njerëz që nuk kishin asnjë lidhje me sulmin dhe për këtë arsye shtatë prej tyre u liruan”.

“Kështu nuk zhvillohen hetime serioze, gjithçka ishte një shfaqje për opinionin ndërkombëtar”, tha ai.

Sulmi terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, Vuçiq mban sot konferencë për media

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq sot do të flasë në një konferencë për media nga ora 11:00, në lidhje me akuzat nga Kosova se Serbia është përgjegjëse për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit.

Vuçiq ka thënë se do t’ia shpjegojë opinionit ndërkombëtar “se kujt dhe pse i është dashur ky incident”.

“Unë do t’u drejtohem qytetarëve, por edhe opinionit ndërkombëtar dhe do t’ju shpjegoj saktësisht se kujt dhe pse i është dashur ky incident në komunën e Zubin Potokut, pse Kurti dhe Sveçla duhet të gënjejnë shumë dhe me nervozizëm dhe do t’i bëj pyetje të shumta përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare dhe do t’i kërkoj përgjigje konkrete.

Serbinë, nuk do ta thyeni me gënjeshtra”, ka shkruar Vuçiq në Instagram.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat