“Lidershipi efektiv është njohja e vetës”, ky është parimi bazë i Migena Gjerazit - trajneres ndërkombëtare. Ajo ka trajnuar mbi dy mijë persona individualisht, duke u mundësuar që të krijojnë udhëheqje autentike dhe të suksesshme.
Që nga viti 2017, ajo ka ndërtuar një karrierë të suksesshme, duke ofruar seanca për zhvillimin e lidershipit dhe inteligjencës emocionale në shumë shtete të botës.
Ajo vjen për herë të dytë në Kosovë për të trajnuar punonjës të kompanive vendore, ku thotë se i pëlqen se si punohet këtu në grup.
Nga Kopenhaga, ku jeton dhe punon, Migena udhëton shpesh për të mbajtur trajnime në Dubai, Angli, Holandë, e Greqi, si dhe përmes platformave online për klientë nga Afrika dhe Azia.
“Unë kam filluar që në 2017-ën që kam biznesin tim privat dhe jam coach dhe trajnere lidershipi. Më parë kam punuar me financa, me burime njerëzore, me administratën dhe shumicën e kohës me numra. Dhe pastaj pash që jam shumë më mirë me njerëz se sa me numra dhe ju futa rrugës së coach-it, i gjithë interesimi, certifikimi për coach. Dhe pasi u certifikova kam kompaninë time dhe punoj me trajnime, me grupe të mëdha por punoj edhe me persona një me një, seanca personale për coach. Kam filluar punën në Kopenhagë sepse aty jetoj dhe ndërkohë kam udhëtuar shumë ndërkombëtarisht dhe punojë online por edhe udhëtoj edhe në vende të ndryshme të botës”, tregon Gjerazi.
Brenda muajit ajo mban deri në katër trajnime, por shembull merr Kosovën se si punëtorët janë të lidhur emocionalisht me njëri-tjetrin.
“Çfarë më pëlqen në Kosovë, e para është mirëpritja, janë shumë të angazhuar dhe shumë të përgjegjshëm. Direkt ka një lidhje mes njëri-tjetrit, dashamirësia që kanë për njëri-tjetrin. Është një kulturë shumë e afërt me njëri-tjetrin. Në vende të ndryshme e mbajnë shumë profesionalizmin, kurse në Kosovë sa kam vënë re unë është që lidhen shumë nga ana personale me njëri-tjetrin dhe krijohet shumë ajo kultura që jemi ‘miq’ së pari dhe pastaj jemi ‘kolegë’, gjë që është shumë e mirë për punën në grup dhe për lidershipin”, shton ajo.
Migena Gjerazi, e cila është trajnere ndërkombëtare thotë se lidershipi efektiv është kur njerëzit njohin vetën.
“Lidershipi efektiv për mua e rëndësishme është që njerëzit të njohin vetën. Që të jenë të vetëdijshëm, që të kanë ndërgjegjen personale që ku janë, si reagojnë, kur reagojnë nga frika, apo si reagojnë kur udhëhiqen nga pasioni, nga vizioni apo qëllimi që kanë. Sepse janë dy përqasje shumë të ndryshme...E gjitha është ndërgjegjësimi për vetën, sa mirë e njoh dhe drejtojë vetën në mënyrë që të kem mundësi që të drejtojë edhe njerëzit e tjerë në mënyrë sa më efektive. Sepse po se njohe vetën, po nuk dite se si reagon në situata të ndryshme është vështirë që të mbash edhe atë hapësirën për njerëzit e tjerë, që edhe ata të flasin lirshëm”, shprehet ajo.