Zijadin Gashi, gazetar për shumë vite i Radios Evropa e Lirë, ka vdekur të martën në moshën 51-vjeçare.
Ai është përballur në muajt e fundit të jetës me tumor në tru.
Gashi e ka ushtruar profesionin e gazetarit prej vitit 1997, duke mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.
Më herët gjatë vitit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, i ka ndarë mirënjohje për kontributin e dhënë në gazetari, para dhe gjatë luftës në Kosovë, në periudhën 1998-99.
Nga viti 2001 e deri më 2020 ka punuar për Radion Evropa e Lirë - si gazetar dhe një periudhë si shef i byrosë në Prishtinë - për të vazhduar më pas kontributin në media tjera në Kosovë.
Zijadin Gashi e ka përfunduar shkollimin e mesëm në gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë, për t’i vazhduar studimet në Universitetin e Prishtinës.
Ai ka lënë mbrapa vetes gruan dhe tre fëmijë, si dhe një trashëgimi të vlefshme në gazetari.