Lavrovi s’i ndahet krahasimit të paqenë mes Kosovës dhe Krimesë

Lajme

Lavrovi s’i ndahet krahasimit të paqenë mes Kosovës dhe Krimesë

Më: 7 dhjetor 2024 Në ora: 14:46
Sergei Lavrov

Ministri i jashtëm rus, Sergey Lavrov ka dhënë një intervistë për personalitetin kontrovers të së djathtës ekstreme, amerikanin Tucker Carlson në Kremlin.

Edhe në këtë rast, zyrtari rus ka bërë krahasimin e paqenë mes rastit të Kosovës dhe Krimesë, teksa ka përmendur edhe politikën e jashtme amerikane në raport me dy rastet.

Carlson e pyeti Lavrovin për situatën në vendet përreth Rusisë dhe nëse ai mendon se ShBA-ja po e vështirëson zgjidhjen e konfliktit.

“Sinqerisht, nuk ka asgjë të re. Sepse ShBA-ja, historikisht, në politikën e jashtme, ishte e motivuar duke bërë disa probleme dhe më pas të shohin nëse mund të peshkojnë në ujin me baltë”.

“Agresioni irakian, aventura libiane – duke shkatërruar shtetin, në thelb. Ikja nga Afganistani”.

“Unë mendoj se kjo është, nëse analizoni hapat, aventurat e politikës së jashtme amerikane, shumica e tyre janë fjala e duhur – mostra. Ata krijojnë disa telashe dhe më pas shohin se si t’i përdorin ato”.

“Kur OSBE-ja monitoron zgjedhjet, kur dikur monitoronte zgjedhjet në Rusi, ato do të ishin gjithmonë shumë negative, dhe në vende të tjera gjithashtu, Bjellorusi, Kazakistan. Këtë herë, në Gjeorgji, misioni monitorues i OSBE-së paraqiti një raport pozitiv. Dhe po injorohet”.

“Pra, kur keni nevojë për miratim të procedurave, ju e bëni atë kur ju pëlqejnë rezultatet e zgjedhjeve. Nëse nuk ju pëlqejnë rezultatet e zgjedhjeve, ju e injoroni atë”.

Ai në këtë rast përmendi Kosovën dhe Krimenë, duke tentuar që sërish t’i barazojë të dyja.

“Është sikur kur Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore njohën shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës, thanë se po zbatohet vetëvendosja. Në Kosovë nuk ka pasur referendum – shpallje e njëanshme e pavarësisë. Meqë ra fjala, pas kësaj, serbët iu drejtuan Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila vendosi se (normalisht, ata nuk janë shumë specifikë në gjykimin e tyre, por ata vendosën) se kur një pjesë e një territori shpall pavarësinë, nuk është domosdoshmërisht e nevojshme për të rënë dakord me autoritetet qendrore”, deklaroi Lavrovi në këtë intervistë.

“Dhe kur disa vite më vonë, krimeasit po mbanin referendum me të ftuar shumë vëzhgues ndërkombëtarë, jo nga organizata ndërkombëtare, por nga parlamentarë në Evropë, në Azi, në hapësirën post-sovjetike, ata thanë, jo, ne nuk mund ta pranojmë këtë sepse kjo është cenim i integritetit territorial”.

“Pra, zgjidh e merr. Karta e OKB-së nuk është një menu. Ju duhet ta respektoni atë në tërësinë e saj”, u shpreh ministri i jashtëm rus.

Krimeja dhe Kosova nuk janë njëjtë

Në analizën e publikuar në International Business Times, thuhet se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk mund të krahasohet me aneksimin e Krimesë nga ana e Federatës Ruse, për tri arsye.

Arsye e parë është se në Kosovë ka pasur shkelje masive të të drejtave të njeriut nga ana e autoriteteve serbe. Kurse në Krime nuk ka pasur diskriminim dhe shkelje të të drejtave të njeriut nga ana e autoriteteve të Ukrainës.

Arsye e dytë është se pas ndërhyrjes së UNMIK-ut dhe NATO-s në Kosovë, vendi disa vjet me radhë ka realizuar një mori negociatash me palën serbe. Pas këtyre negociatave të pafrytshme, Kosova ka shpallur pavarësinë në mënyre të njëanshme. Kurse në Krime ka ndodhur e kundërta. Me largimin e presidentit pro-rus të Ukrainës Viktor Yanukovych me 22 shkurt, pas protestave nga ana e ukrainasve të cilët reaguan kundër refuzimit të nënshkrimit të marrëveshjes nga ana e Yanukovychit me Bashkimin Evropian, presidenti rus Putin dërgoi mercenarë dhe ushtarë pa shenja ruse për të okupuar territorin e Krimesë. Ne analizë thuhet se kjo është bërë me dinakëri nga ana e Putinit, që në opinionin ndërkombëtar të mos duket se është një agresion nga ana e Federatës Ruse.

Arsye e tretë është se në Kosovë ka pasur shkëputje, kurse në Krime aneksim.

Me 11 mars autoritet pro-ruse në Krime kanë paralajmëruar shkëputjen nga Ukraina, ndërsa me 16 mars, është  mbajtur një referendum nën tytat e armëve ruse ku sipas të dhënave 97 për qind e rusëve në Krime kanë votuar për t’u ndarë nga Ukraina dhe për t’iu bashkuar Federatës Ruse.

Me 17 mars, në bazë të rezultateve, autoritetet e Krimesë kanë shpallur pavarësinë dhe në ditën tjetër i kanë bërë kërkesë Federatës Ruse, për t’u bërë pjesë e saj.

Presidenti Putin ka pranuar kërkesën e autoriteteve të Krimesë. Të njëjtën gjë e ka bërë edhe parlamenti i Rusisë.

Shpallja e pavarësisë së Krimesë është arsyetuar edhe me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën në vitin 2010. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat