Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka kujtuar dhjetëvjetorin e anëtarësimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.
“Sot, dhjetë vjet më parë, në ditën time të fundit si Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, realizova një ëndërr që më kishte udhëhequr gjatë gjithë misionit tim në këtë detyrë: anëtarësimin e Komitetit Olimpik të Kosovës si anëtar me të drejta të plota në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar”, thuhet në postimin e Krasniqit në Facebook.
“Ky moment, përjetësisht, do të mbetet një nga arritjet më të veçanta dhe sukseset më të dashura në jetën time”.
Ai falënderoi disa emra të përveçëm për këtë qëllim, dhe shprehu respektin për të gjithë brezat që nuk u dorëzuan gjatë kësaj rruge.
“Sigurisht, ky qëllim i madh nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e miqve të mi të përkushtuar në sport: Besim Hasanit, Driton Kukës, Majlinda Kelmendit dhe gjithë punonjësve e gazetarëve sportiv, të cilët me përkushtim të pashoq kontribuan për këtë ditë historike”.
“Ndërkaq, sonte, edhe me praninë e miqve ndërkombëtarë, po shënojmë dekadën e parë të një rrugëtimi të mrekullueshëm”.
“Respekt të thellë të gjithë brezave që kurrë nuk u dorëzuan në rrugën drejt ditëve të bardha të sportit të Kosovës!”