Sot mbushen 24 vjet nga vdekja e Jashar Salihut, përfaqësuesit të parë diplomatik në Zvicër të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, njëherësh ish-kryetar i Këshillit për Administrimin e Fondit “Vendlindja thërret”.
Qe nga vitet e 70-ta, Jashar Salihu ishte anëtar i Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe viseve shqiptare në Jugosllavi. Ai ishte ndër anëtarët më aktivë të grupeve ilegale të asaj kohe që vepronte brenda organizatës ilegale Komiteti për Deçanin, në kuadër të lëvizjes së udhëhequr nga veprimtari Jusuf Gërvalla.
Bashkë me vëllain e tij Hajdarin, ishin dalluar për guximin politik që haptazi iu kundërviheshin qëndrimeve e veprimeve nga ish-qendrat komuniste të organizuara përmes komiteteve komunale, që binin ndesh me synimet dhe idealet e lëvizjes së mirëfilltë kombëtare për çlirim nga pushtimet sllave.
Vite më vonë vëllezërit Salihu, punuan si profesorë në shkollën e mesme “Vëllezërit Frashëri” gjimnazi në Deçan. Më 1 maj 1990, do ta drejtojë tubimin te Verërat e Llukës, ku kishte mbi 500 mijë të pranishëm nga të gjitha trevat shqiptare, ku do të arriheshin 106 pajtime - 62 gjaqe, 25 plagë dhe 19 ngatërresa.
Në fund të atij viti e arrestojnë dhe e torturojnë barbarisht. Por, asgjë nuk përfundon me kaq - ndjekja e tij do të vazhdojë tutje derisa e detyrojnë të merr rrugën e mërgimit. Veprimtaria e tij politike në kuadër të ish-Lëvizjes Popullore të Kosovës vetëm se do të shënojë ngritje dhe dimensione të reja.
Duke qenë paraprakisht në hierarkinë më të lartë drejtuese të saj, me nismën e tij në vitin 1993 do të formohet Fondi “Vendlindja thërret”, në funksion të formimit të vetëfinancimit të luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Qe nga koha e themelimit, Jashar Salihu ka qenë kryetar i Këshillit për Administrimin e Fondit “Vendlindja thërret”. Në sensibilizimin e opinionit perëndimor me të vërtetën për luftën e drejtë të Kosovës kundër forcave kriminale të Sllobdan Millosheviqit, roli i Jasharit është i pazëvendësueshëm, dhe rrjedhimisht, po dëshmohej se jo rastësisht në kuadër të Drejtorisë Politike të UÇK-së. Ai ishte anëtar i Grupit për Marrëdhënie me Jashtë, ndërsa më vonë do të jetë përfaqësuesi i parë diplomatik i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës në Zvicër.
“Shqiptarët e Kosovës janë evropianë dhe nuk kanë lidhje me vendet islamike. Ata janë të vendosur të luftojnë deri në fund”, i ka deklaruar Jashar Salihu gazetës amerikane “The Christian Science Monitor”, të datës 16 prill 1998, duke mbrojtur kështu dhe përhapur të vërtetën për shqiptarët dhe vlerat civilizuese perëndimore të luftës së UÇK- së, njëkohësisht duke demantuar propagandën antishqiptare të regjimit kriminal të Millosheviqit dhe satelitëve të tij.
Jashar Salihu u lind në Batushë më 10 shkurt 1953. Shkollimin fillor e kreu në Molliq, ndërsa atë të mesëm në Gjakovë. Fakultetin Filozofik e mbaroi në Prishtinë, ku studioi gjuhën angleze. Vdiq më 16 dhjetor 2000, në spitalin e kantonit Aarau të Zvicrës.