Dushan Janjiq, drejtor i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Beograd, ka komentuar deklaratën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se “ka informacione se në ditët në vijim Qeveria e Kosovës do të fajësojë serbët për shpërthimin në kanalin Ibër-Lepenc”, duke thënës se kjo nuk është asgjë e re dhe se Qeveria e Kosovës e ka bërë tashmë kur kryeministri i Kosovës Albin Kurti fillimisht e përkufizoi këtë ngjarje si një akt terrorist.
Duke hapur seancën “tematike” të Qeverisë serbe të martën, Vuçiq fillimisht ka folur për situatën në Kosovë dhe përgjegjësinë për shpërthimin në kanalin Ibër-Lepenc që ndodhi më 29 nëntor.
“Në Kosovë populli ynë po lufton fort për mbijetesë dhe për legjitimitet politik. Ajo që mund t’ju them është se regjimi i Kurtit në ditët në vijim do t’i shpallë fajtorë serbët pa asnjë provë materiale për aktin diversant në kanalin Ibër-Lepenc me qëllim të qartë politik. Qëllimi I kësaj është që të përpiqen në çdo mënyrë të ndalojnë pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet e ardhshme”, tha Vuçiq.
Siç shkruan “Danas”, Beogradi nuk ka folur shumë për këtë rast deri më tani. Vuçiq disa ditë pas shpërthimit tha se Serbia nuk kishte asnjë lidhje me të dhe se ai mbështet fillimin e një hetimi ndërkombëtar që do të përcaktojë se çfarë ka ndodhur.
Prandaj është interesant fakti që Vuçiqit kjo temë i vjen në kohën kur bllokadat e studentëve po vazhdojnë në gjithë Serbinë dhe duket se ato nuk do të ndalen së shpejti.
Duke iu përgjigjur pyetjes se a është qëllimi i Vuçiqit që të shfrytëzojë temën e Kosovës dhe shpërthimin në kanalin Ibër-Lepenc për të larguar deri diku vëmendjen nga protestat, bllokadat dhe qytetarët e pakënaqur, Janjiq thotë se prej kohësh ka pasur përpjekje për të rikthyer në plan të parë çështjen e Kosovës, për të larguar vëmendjen dhe për të lehtësuar presionin ndaj qeverisë, që ushtrohet përditë nga problemet e brendshme.
Janjiq thekson se njoftimi i Vuçiqit se Kosova do të fajësojë Serbinë për shpërthimin në Zubin Potok nuk është diçka e re.
“Kurti e ka bërë tashmë. Përkufizimi i tij i parë ishte se ishte një akt terrorist”, vazhdon ai.
Janjiq shton se tema e Kosovës u rikthye me sukses në diskursin publik pikërisht përmes zgjedhjeve në Kosovë, të cilat do të mbahen tek më 9 shkurt të vitit të ardhshëm.
“Serbia nuk mund të bëjë asgjë për zgjedhjet në Kosovë, gjithçka po ua lë autoriteteve të Kosovës”, pohon bashkëbiseduesi ynë.
Megjithatë, ai kujton se është një “lojë e vjetër”.
“Ne kemi Kurtin armik dhe heroin tonë Vuçiq, i cili do të na mbrojë nga Kurti dhe në thelb të gjithë po ndërgjegjësohen se Serbia nuk ka asnjë ndikim në Kosovë”, thotë Janjiq.
Megjithatë, ai beson se tema e Kosovës, pas një muaji përpjekjesh, arriti të rikthehet përmes temës së zgjedhjeve pikërisht për të lehtësuar presionin ndaj pushtetit të shkaktuar nga problemet e brendshme.
“Shpërthimi në kanalin Ibër-Lepenc, sikurse rasti Banjska, është i shkëlqyeshëm për konflikt menaxhment”, thotë Janjiq dhe shton se është e qartë se autoritetet serbe nuk e konsiderojnë më Kosovën problem të brendshëm, por ndërkombëtar.
Duke komentuar vetë hetimin e ngjarjeve në Zubin Potok, Janjiq thotë se Komuniteti Ndërkombëtar, i mësuar nga përvoja e rastit në Banjskë, nuk ka ndërmend të krijojë bashkëpunimin mes Kosovës dhe Serbisë në hetim.
“Edhe pse Vuçiq e konteston këtë dhe premton një hetim të përbashkët që do të koordinohet nga Komuniteti Ndërkombëtar, qëndrimi i tyre dhe veçanërisht i ambasadorit amerikan në Kosovë është shumë i qartë. Ata do ta mbështesin Kosovën në hetim sepse konsiderohet të jetë objekt hetimi i tyre”, përfundon Janjiq.