Shefi i diplomacisë serbe Marko Gjuriq ka realizuar vizitën e tij të parë në Kinë pas marrjes së detyrës.
Ai në Tianjin të Kinës veriore është pritur sot në takim nga anëtari i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste, njëherësh shef i diplomacisë kineze Wang Yi.
Gjuriq tha se ka marrë mbështetjen e Pekinit zyrtar në raport me Kosovën, sipas mediave serbe.
"Kina vazhdon të mbështesë palëkundur Serbinë për Kosovën”, tha ai duke shtuar se miqësia me Kinën është e rëndësishme për arritjen e prioriteteve strategjike të Beogradit zyrtar.
“Në fund të vitit 2024, mund të mburremi se kemi realizuar një vizitë me rëndësi thuajse historike në nivel ministror, pas vizitës historike të presidentit Xi Jinping në Serbi dhe mbyll një vit fantastik të bashkëpunimit serbo-kinez”, tha ai.
Kina është ndër vendet që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe vazhdon bashkëpunimin me Serbinë pro-ruse.
“Kina do të vazhdojë të mbështesë me vendosmëri Serbinë në ruajtjen e sovranitetit kombëtar, pavarësisë dhe integritetit territorial, si dhe në mbështetjen e zhvillimit dhe rritjes së Serbisë”, tha ministri Wang Yi, thuhet ndër tjera në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Kinës për takimin me Gjuriq.