​Katër vjet nga vendimi i Kushtetueses që rrëzoi Qeverinë Hoti

Lajme

​Katër vjet nga vendimi i Kushtetueses që rrëzoi Qeverinë Hoti

Më: 21 dhjetor 2024 Në ora: 07:21
Gjykata Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese më 21 dhjetor 2020 shpalli të pavlefshëm mandatin e deputetit Etem Arifi dhe detyroi mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare brenda 40 ditësh pasi vota e tij ishte vendimtare në votëbesimin e Qeverisë Hoti.

Kushtetuesja konstatoi se Qeveria Hoti nuk u zgjodh në pajtim me aktin më të lartë juridik të vendit dhe nuk ka pasur votat e nevojshme.

Më 3 qershor, qeveria e drejtuar nga Avdullah Hoti nga LDK-ja mori 61 vota në Kuvend duke nisur detyrën si qeveri e re, pas prishjes së koalicionit me Vetëvendosjen.

Njëra nga 61 votat ‘pro’ ishte edhe ajo e deputetit Etem Arifi nga pakicat, i cili më 20 gusht 2019 ishte dënuar me një vit e tre muaj burg.

Më 6 tetor 2019, u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare ku Etem Arifi kandidoi dhe u zgjodh deputet. KQZ certifikoi rezultatin e zgjedhjeve dhe në listën e deputetëve të certifikuar ishte edhe Arifi.

Më 26 dhjetor 2019, u mbajt mbledhja konstituive e Kuvendit ku u konfirmua mandati i Arifit. Qe nga ajo kohë, Arifi vazhdoi të ushtronte funksionin e deputetit, edhe pse ndaj tij rëndonte një dënim gjyqësor i formës së prerë.

“Vendimi i Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës, i 3 qershorit 2020, nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 të Kushtetutës, sepse Qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Marrë parasysh se Qeveria nuk është zgjedhur sipas paragrafit 3 të nenit 95 të Kushtetutës, atëherë mbështetur në paragrafin 4 të nenit 95 të Kushtetutës, presidenti i Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet ditë nga dita e shpalljes së tyre”, thuhej në vendimin e Kushtetueses.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat