Në emisionin “Edu Media”, që mbështetet nga OSBE, profesori i gazetarisë Alban Zeneli ngriti shqetësimi i mungesës së të dhënave publike që mund t’i shërbenin Inteligjencës Artificiale.
Profesori tha se në rastin e mediave të Kosovës, sa i përket Inteligjencës Artificiale, është e rëndësishme të potencohet një fakt që nuk ka shumë të dhëna publike me anë të të cilave funksionojnë mekanizmat e AI.
“Nëse do ekzistonin të dhënat e renditura, një gazetar duke e përdorur AI do kishte mundësi që nëse i intereson sfondi i asaj ngjarjeje, me e kuptu sa aksidente kanë ndodhur në një rrugë. Kjo mund të përdorej nëse të dhënat do të ishin publike dhe të sistemuara mirë. Kjo do i ndihmonte gazetarit që me e bo një raport kuptimplotë me sfond për, ta zëmë aksidentet. Këto të dhëna tash duhet të përpunohen manualisht, ose nga Policia e Kosovës pasi mënyra e publikimit të këtyre të dhënave nuk ka qenë e njëjtë dhe mund të japë rezultat të gabuar nëse pyetet AI nga ana e gazetarit”, tha profesori Zeneli.
Me krejt përparësitë që ka AI, përfundimisht gazetarët nuk mund t’i zëvendësojë, kjo sipas profesorit universitar.
“Çështja është kjo në gazetarinë praktike në raportim, këtë gjeneratë që e shohim ne të teknologjisë, nuk ka mundësi të zëvendësojë gazetarin sepse ai është i pari që shkon në terren, e verifikon lajmin dhe i publikon në sistemin online pastaj ato përdoren nga inteligjenca artificiale. Veç mund të ketë lehtësim në proceset e tjera të punës, shembull montazhës dhe punët e ngjashme”, tha Zeneli si mysafir në “Edu Media”.
Profesori i UP-së tha poashtu se esencialisht mundësit që t’i ofron teknologjia, ose më saktë Inteligjenca Artificiale, ka ndikuar në gazetari në dy aspekte ose pikëpamje.
“E para është, në funksionin e gazetarisë në lehtësimin e disa detyrave gazetareske dhe jo vetëm gazetareske por edhe brenda produksionit të radios, televizionit e të ngjashme”, tha profesori Zeneli.
Por sipas tij, AI ka ndikuar edhe në pikëpamjen e keqfunksionet apo përhapjen e dezinformatave për shkak të lehtësisë në qasje, pasi kushdo që ka qasje në internet me një pajisje, ka mundësi në krijimin e një kontenti që i ngjason lajmit e i ngjason produkteve gazetareske, e të cilat, sipas tij, nuk e kanë qëllimin e raportimit të vërtetës.
“Shoqata e gazetarëve evropianë e ka publiku kodin e saj etik dhe ka përfshirë si duhet të përdoren në pikëpamje etike inteligjenca artificiale. Në këtë aspekt ka shkuar edhe Këshilli i Pavarur i Mediave të Kosovës që dy muaj ka ndryshuar kodin etik që ka shtuar nenin që i dedikohet specifikisht Inteligjencës Artificiale në gazetari”, tha profesori Zeneli.
“Ne atë nen specifikohet që mediumi mund të përdorë AI, por nuk i shmanget përgjegjësisë”, shtoi ai.