Kryetarja e Këshillit Nacional Kombëtar për Sanxhakun, Amina Nuraj gjatë një interviste për programin e mëngjesit sot në Radio Kosova tha se shqiptarët e Sanxhakut, janë duke iu kthyer rrënjëve të tyre, po mësojnë shqipen, janë autoktonë dhe do të mbeten të tillë përjetësisht.
Nuraj tha se ka marrë premtinin e kryeministri Albin Kurti se gjatë vitit 2025 edhe shqiptarët e Sanxhakut do kenë mbështetjen e Qeverisë së Kosovës. Ajo theksoi nevojën për më shumë mbështetje, sepse siç tha të gjithë ata që janë deklaruar si shqiptarë në atë rajon, nuk kanë të drejtë pune e nuk marrin asnjë ndihmë sociale apo pensionale nga shteti i Serbisë.
Ndërkohë si lajm të mirë të vitit 2024, Amina Nuraj veçoi nismën për shkollën shqipe, ku tha se tashmë kanë 30 nxënës që po mësojnë gjuhën shqipe dhe ajo pret që në 2025 të rritet shumë më shumë ky numër dhe interesimi për mësimin e gjuhës shqipe.
“Shqiptarët e Sanxhakut ekzistojnë dhe do të ekzistojnë sa të ketë jetë njeriu”, përcolli si mesazh Amina Nuraj.