Përgjatë vitit 2024, në vendin tonë janë kryer disa vepra penale, e ndër to edhe prostitucioni.
Ndërkaq, në luftën kundër trafikimit me njerëz, Policia e Kosovës gjatë këtij viti ka trajtuar 22 raste të njohura si “Escorta”.
Identifikimi i tyre që çoi më pas edhe në arrestime. Sipas njoftimit të policisë, arrestimi i tyre ka ardhur pas vëzhgimit në rrjete sociale, por edhe nga mbledhja e provave e fakteve nga terreni.
Pas veprimeve hetimore, të identifikuar ishin plot 50 burra e gra – gati gjysma nga të cilët shtetas të huaj.
“Sa i përket shtetësisë, personat e dyshuar të përfshirë në këtë veprimtari janë: 12 femra shtetase të Kolumbisë, 10 femra shtetase të Venezuelës, 2 femra shtetase të Perusë, 1 femër shtetase e Turqisë, 1 femër shtetase e Ukrainës dhe 24 meshkuj shtetas kosovarë”, thuhet në postimin e Policisë në Facebook.
Sa i përket aspektit ligjor, juristi kosovar Ardian Bajraktari tha se të gjitha vajzat e përfshira trajtohen si viktima.
“Ato vajzat e ardhura nga ato vende në Kosovë, në këtë rast trajtohen si viktima ndërkaq personat që e kanë organizuar veprimtarinë trajtohen saktësisht sikur subjekte”, tha Bajraktari.
Kjo më pas lidhet me moshën që të përfshirët në veprimtari e kanë.
“Bazuar në mënyrën e kryerjes së veprës, zakonisht janë mundësitë e prostitucionit zhvilluar përmes ndonjë lokali ose të ngjashme, e nëse viktimat janë nën moshën 18-vjeçe, dënimi shkon deri në 10 vite burgim, kurse për to, meqë janë nga vende të tjera, lëshohet urdhër-dëbim”, pohoi juristi.
Në anën tjetër, avokati Xhevdet Smakiqi tha se mënyra se si kjo veprimtari kryhej në vitet ‘99-2010 me ditët e sotme, ka ndryshuar.
“Ka pësuar ndryshime në modelin e organizimit prej kur ka qenë forma klasike e ku zakonisht femrat janë trajtuar si skllave në shtëpi e banesa të kamufluara sikurse klube të natës. Aty ka pasur edhe forma të rënda të dhunës ku janë përcjellë edhe me vrasje”, tha Smakiqi.
Avokati mes tjerash tha se Kosova nuk ka qenë imune ndaj transformimit të veprës, nga klasike në atë të kamuflimit përmes mesazheve në rrjete sociale. Sipas tij, tutorët edhe klientelën e sigurojnë përmes rrjeteve sociale.
“Republika e Kosovës s’ka qenë imune ndaj transformimit. Tash e dy vitet e fundit po flasim pasi vajzat që bien pre e veprimtarisë sigurohen nga rrjetet sociale, por edhe klientela, që qëllimi final është përfitimi pasuror i subjekteve dhe tutorëve të fshehur, duke ofruar shërbime seksuale”, tha për fund njohësi ligjor.
Tutorët janë dënuar nga gjykatat me gjoba në të holla, kurse shtetaset e huaja, përpos Urdhër-Dëbimit, nuk kanë të drejtë deri në 3 vite të shkelin territorin e Kosovës.