“Kemi pasur presion nga të gjitha anët, nga protestuesit në radhë të parë të cilët na kanë fyer, sharë e nuk na kanë lënë me flejt kurrë, pastaj nga KFOR-i, kam pasur mesazhe nga njerëzit tanë... Edhe vet çuditem qysh kam mundur me përballu gjithë këtë presion, por falë Zotit kaluan ato ditë”.
Kështu e ka nisur rrëfimin e tij për KosovaPress kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, i cili për shtatë muaj qëndroi i mbyllur në objektin komunal, pa dalë fare nga aty që nga dita e marrjes së detyrës.
Ai theksoi se vendimi për qëndrimin brenda ka qenë personalisht i tij, e jo i kryeministrit dhe i askujt tjetër, gjithnjë i vendosur të shkoj deri në fund, vetëm për të arritur funksionalizimin e plotë të Komunës së Leposaviqit sipas kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës.
Sipas tij, situata e sigurisë në këtë komunë kurrë nuk ka qenë më e mirë dhe se tani shteti i Kosovës si asnjëherë më parë ka shtrirë sovranitetin edhe në veri.
“Presion kemi pasur nga të gjitha anët. Presioni nga protestuesit, na kanë fyer, sharë, nuk na kanë lënë me flejt as natën, kanë pasur zmadhues në të dyja cepat e Komunës, muzikë… edhe vet çuditem qysh kemi mundur me përballu, unë së bashku me mbrojtjen e afërt dhe policinë… Kam pasur shumë mesazhe nga njerëzit tanë, lëshoje objektin, çka po bënë aty, donë me na shti në luftë, pastaj për dy muaj ka qenë presioni edhe i KFOR-it të cilët 5-6 herë në ditë më sugjeronin të largohem, më pyetnin kur do të largohesh, vishin të premten bie fjala dhe më pyetnin nëse do të lëvizi gjatë vikendit, kështu që për dy muaj kemi pasur presion dhe telashe edhe me KFOR-in, por falë Zotit kaluan ato ditë… Kurrë nuk kemi biseduar as me kryeministrin ose me ndonjë qeveritar, ky ka qenë vendim i imi personal për të qëndruar këtu derisa të bëhet mirë, ta aktivizojmë Komunën, që qytetarët të vijnë të kryejnë shërbimet e tyre sikur në çdo Komunë tjetër… Kurrë nuk ka qenë më e mirë dhe më e sigurt (situata e sigurisë v.j.)… Sot falë Zotit, këmbëngulësisë time, qeverisë, kryeministrit, jemi këtu ku jemi”, tha Hetemi.
Hetemi e ka quajtur të jashtëzakonshëm bashkëpunimin me qytetarët serbë, teksa bëri të ditur se rreth 80 përqind të punëtorëve në Komunë janë serbë.
Ai tha se për herë të parë ka arritur që të krijojë program të skemave sociale, nga të cilat kanë përfituar rreth 2 mijë e 600 familje serbe të kësaj komune.
Hetemi u shpreh se del lirshëm nëpër qytet dhe frekuenton restoranet e lokalet e ndryshme, sidomos kur e vizitojnë mysafirët nga Prishtina, ndërsa tashmë nuk ka as mbrojtje të afërt.
"Këtu s’ka qenë asnjëherë Republikë e Kosovës me thënë troç, sidomos pas pavarësisë, këtu ka qenë Republikë e Serbisë… Ne kur kemi udhëtuar psh. Mitrovicë-Bistricë është dashur me ardhë disi si në mënyrë tinëzare sepse nuk ke pasur kurrë siguri… Është i jashtëzakonshëm (bashkëpunimi me qytetarët serbë). Ka pasur raste kur kam pritur 35-40 qytetarë në ditë, qytetarë me halle të ndryshme, kanë bërë kërkesa ose ankesa etj dhe të gjitha i kemi të protokolluara, ju kemi dalur në ndihmë aq sa kemi mundur… Kemi rreth 40 biznese që janë regjistruar në ARBK këtu në Komunën tonë ku është zyra, për herë të parë kemi rreth 2 mijë e 600 familje (serbe) me asistencë sociale që ne e kemi mundësu dhe që s’ka pasur kurrë më parë… Këtu biznes shqiptar e kemi vetëm Interex-in që është hapur para dy muajsh… Në Komunën tonë janë rreth 120 punëtorë, më herët i kemi pasur me kontratë mbi vepër diku rreth 250 punëtorë, absolutisht s’kemi pasur ndonjë problem, për një vend pune aplikojnë rreth 70-80 qytetarë serbë… Tetëdhjetë përqind (të punëtorëve) janë serbë. Edhe kabineti im përbëhet prej shtatë drejtorive shqiptare dhe tetë janë serbe, bashkëpunimi është i jashtëzakonshëm… Ne e kemi çliruar qytetarin serb nga bandat kriminale serbe… Katër-pesë muaj kam pasur (mbrojtje të afërt) dhe kanë qëndruar këtu, që katër muaj e gjysmë i kam liruar dhe jam këtu vetëm me punëtorë. Në mëngjes më sjellin dhe në mbrëmje vijnë më marrin… Dalë, shkoj në restoran kur kam mysafirë nga Prishtina, në kafe, pa problem hic, dalim te qytetarët serbë, psh personalisht ka dikush, shkojmë me nënkryetaren është serbe, Marina Bogojeviq… Shkojmë te komuniteti boshnjak në fshatin Rvatska, absolutisht nuk kemi problem hiç”, tha ai
Hetemi shtoi se bashkëpunimi me qeverinë është i mirë dhe se shumën prej 7 milionë eurosh të buxhetit të miratuar për vitin 2025, do ta orientojë kryesisht në infrastrukturën rrugore, duke përfshirë këtu edhe fshatrat shqiptare Bistricë, Cerajë dhe Koshtovë, të cilat udhëhiqen nga Komuna e Leposaviqit.
Ai u shpreh i sigurt se nuk do të kandidojë për një mandat të dytë në zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave që do të mbahen vitin e ardhshëm, duke thënë se tashmë është arritur zbatimi i plotë i ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës edhe në këtë pjesë.
“Me Qeverinë e Kosovës nuk mund të them se bashkëpunimi është i keq, i mirë është… Afër 7 milionë janë buxhet, disa rrugë që janë kërkesë e qytetarëve janë aprovuar dhe i kemi shti në buxhet, dy rrugë në fshatrat Bistricë, Cerajë dhe Kosohtovë… Këtu në Leposaviq qendrën para Komunës e kemi paraparë, projekti është veç në përfundim dhe besoj se në janar të vitit të ardhshëm nisin punimet… Nuk besoj, për shkak se këtu në Leposaviq tash veç është thyer ai miti veç Lista Serbe… tani i kemi dy-tre parti tjera (serbe) të regjistruara në KQZ, besoj pas Vitit të Ri do të regjistrohet edhe një parti tjetër e re, kështu që nuk kanë nevojë më qytetarët për kryetar shqiptar jam i bindur. Ata duhet me hy në garë më zënë postin e kryetarit Hetemi në Komunën e Leposaviqit duke ju përshtatur kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Çdo qytetar duhet ta dijë se Leposaviqi është në Republikën e Kosovës’, ka thënë mes tjerash kryetari Hetemi.