Aksioni i zhvilluar nga Policia e Kosovës në koordinim me Inspektoratin Policor të Kosovës në rrugën “Bejtush Gërbeshi”, rezultoi me katër persona të arrestuar dhe në mesin e tyre edhe një zyrtar policor. Grupi i dyshuar u kap në flagrancë nga Policia dhe përveç lëndëve narkotike, u sekuestrua edhe një armë ilegale. Veprimet e kundërligjshme i kushtuan me arrestim, ndalim dhe suspendim zyrtarit policor.
Polici Gentian Lecaj, është pjesë e Njësisë së Trafikut Rrugor të kryeqytetit, i cili shoqërohej me tre persona – te të cilët u gjet kokainë, marihuanë dhe një armë zjarri.
Kurse, tre të dyshuarit e tjerë që u arrestuan nga Policia janë Armat Ratkoceri (21), Albin Hasani(22) dhe Emir Istrefi (24).
Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe brenda afatit ligjor do të ndërmerren veprimet e tjera të nevojshme.
Polici Gentian Lecaj i arrestuar nga IPK ishte jashtë detyrës zyrtare, por megjithatë detyrimin për raportimin e rasteve të jashtëligjshme si çdo zyrtar tjetër policor, e ka për obligim, pavarësisht kohës apo vendit.
Përfshirja e tij në këtë rast, i kushtoi me masën e suspendimit për tri ditë, ndërsa arma e tij zyrtare dhe ID zyrtare janë sekuestruar.
Lecaj dhe tre të dyshuarit e tjerë u kapën në flagrancë me një sasi të substancës narkotike, të llojit kokainë – e gjetur te polici, ndërsa në veturë u gjetën edhe dy qese të tjera me kokainë e marihuanë.
Siç merr vesh media, te i dyshuari Hasani, Policia ka gjetur edhe një armë ilegale, që i njëjti e mbante pa autorizim – e që po ashtu u sekuestrua në cilësinë e provave materiale.
Pas përfundimit të proceduarve policore, me urdhër të prokurorit, është hapur rasti në drejtim të veprave penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” dhe ”Armëmbajtje pa leje” – hetim ky që do të zhvillohet nga PK dhe IPK.