‘Frika nga humbja e pushtetit’, gazetari i medias gjermane ‘godet’ Vuçiqin: Edhe psikologët po merren me deklaratat e tij!

Lajme

‘Frika nga humbja e pushtetit’, gazetari i medias gjermane ‘godet’ Vuçiqin: Edhe psikologët po merren me deklaratat e tij!

Nga: A.M. Më: 6 janar 2025 Në ora: 09:17
Aleksandar Vuçiq

Gazetari i medias gjermane Bahri Cani, ka komentuar protestat e fundit në Beograd, të cilat po zhvillohen kundër regjimit të Aleksandar Vuçiqit.

Ai përmes një postimi në Facebook u shpreh se Vuçiq nuk ka qenë kurrë më shumë nën presion, madje edhe duke dhënë deklarata shumë të pamatura.

“Kjo atmosferë po ma kujton pak gjendjen e viteve 90-të kur protestonte opozita kundër Millosheviqit, por zhvillimet e tetorit të vitit 2000 kur Millosheviqi u rrëzua nga pushteti me protesta.

Sidoqoftë, në Serbi protestat e studentëve dhe qytetarëve kanë vazhduar edhe gjatë festave të fundit, po vazhdojnë edhe tani, Vuçiqi dhe qeveria e tij po akuzohen se "i kanë duart e përgjakura"...”, shkroi ndër të tjera Cani, përcjell “Bota sot”.

Postimi i plotë

"I keni duart e përgjakura", vazhdojnë protestat kundër Vuçiqit, ndërsa ai "kërcënon" me njësi paramilitare!

Nuk e di a po e përcillni dhe sa po e përcillni gjendjen në Serbi, por kam një përshtypje që presidenti Aleksandar Vuçiq nuk ka qenë kurrë më shumë nën presion. Kohët e fundit ka dhënë edhe disa deklarata shumë të pamatura, siç i quajnë në Serbi. Ja disa prej tyre: "Tashti të vijnë këtu në studio pesë vetë me automatë, nuk do të trembesha, vetëm i kisha pyetur, ku është problemi...".

"Mua më ka kërcënuar një prej kriminelëve më të mëdhenj me pistoletë midis Beogradi nga disa metra largësi dhe nuk jam trembur". "Është krijuar një grup që e quajnë veten lojalistë, që ndërkohë numëron 17.000 anëtarë, për të mbrojtur vendin... kanë shkuar me një kishë të vogël dhe janë betuar në gjakun e tyre për mbrojtje... Ndër ta është edhe vëllau im, është edhe dikush tjetër i familjes, unë nuk jam..."

"A duhet t'i nxjerrë tani 'beretkat' në rrugë dhe t'i shpartallojnë për 5-6 sekonda studentët..." "Mund të më vrasin, por nuk ua jap qeverinë teknike". "Nuk ka birë nane që më detyron"...

Deklarata të tilla ka me dhjetëra, gati çdo ditë. Shumë analistë, e madje edhe psikologë në Serbi po merren me këto deklarata. Por fakt është, Vuçiqi kurrë nuk ka qenë më shumë nën presion në Serbi.

Më së shumti shqetësime ka shkaktuar kjo deklarata për krijimin e një njësie paramilitare (lojalistët) prej 17.000 vetash, që janë zotuar se do ta mbrojnë ate në rast nevoje. Shumëkush në Serbi e ka cilësuar këtë si një përgatitje për gjakderdhje. Ata pyesin, çka i duhet njësia paramilitare Vuçiqit në qoftë se ka policinë dhe ushtrinë? Apo do të mbrohet prej popullit të vetë, prej studentëve, prej kujt?

Kjo atmosferë po ma kujton pak gjendjen e viteve 90-të kur protestonte opozita kundër Millosheviqit, por zhvillimet e tetorit të vitit 2000 kur Millosheviqi u rrëzua nga pushteti me protesta.

Sidoqoftë, në Serbi protestat e studentëve dhe qytetarëve kanë vazhduar edhe gjatë festave të fundit, po vazhdojnë edhe tani, Vuçiqi dhe qeveria e tij po akuzohen se "i kanë duart e përgjakura"...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat