Personi që ishte lënduar natën e 31 dhjetorit pas shpërthimit të një pike shitjeje të mjeteve piroteknike në Prizren, është dërguar për trajtim në Turqi të hënën.
Pas lëndimit nga zjarri i madh, ai ishte dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ku ka qëndruar deri më 6 janar.
Bashkësia Islame e Kosovës tha përmes një njoftimi se në bashkëpunim me Ambasadën turke në Prishtinë, kanë mundësuar që personi i lënduar të dërgohet me aeroplan special për në Turqi.
Sipas BIK-ut, trajtimi do të bëhet në Qendrën Hulumtuese Spitalore për djegie të thella në Stamboll.
Ngjarja e rëndë kishte ndodhur në rrugën “Ahmet Prishtina” në Prizren, në natën e Vitit të Ri.
Zjarri ishte përhapur edhe në lokalet dhe ndërtesat rreth pikës së shitjes.
Autoritetet pritet të bëjnë vlerësimin e saktë të dëmeve.