Partitë politike po shfrytëzojnë resurset shtetërore për të bërë fushatë. Me dhjetëra raste janë evidentuar vetëm në javën e parë të fushatës zgjedhore. Organizatat që po monitorojnë këtë proces thonë se po shfrytëzohen veturat zyrtare, hapësirat e institucioneve publike por edhe raste kur shërbyesit civilë janë prezent në tubime publike, ani pse në orar të punës.
Ligji për zgjedhjet e përgjithshme e ndalon shfrytëzimin e resurseve shtetërore gjatë periudhës së fushatës zgjedhore.
“Me përjashtim të rasteve të parashikuara me ligj, nuk mund të përdoren ose të vihen në mbështetje të subjekteve politike në zgjedhje, burime ose resurse të institucioneve apo organeve publike në nivel qendror ose lokal, apo çdo lloj institucioni tjetër publik”, thuhet në nenin 36 të këtij ligji.
Hulumtuesja e lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Violeta Haxholli, thotë për KosovaPress se ka pasur raste të gjobitjes së partive politike për shfrytëzim të resurseve shtetërore.
“Në disa organizime të partisë në pushtet ka pasur prezencë të veturave zyrtare dhe të shërbyesve publikë por edhe në rastet apo aktivitetet që janë organizuar nga partitë opozitare si PDK, LDK, AAK, sidomos në komunat që qeverisen nga këto parti. Disa raste janë raportuar edhe në PZAP [Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa] ku janë shqiptuar disa gjoba. Prandaj, partitë politike janë të njoftuara që këto janë praktika të ndaluara, megjithatë ne po e hasim gjatë vëzhgimit të fushatës... Janë diku pesë raste të cilat janë [gjobitur] për shfrytëzimin e resurseve publike. Po shohim që gjobat janë të shqiptuara nga PZAP në përgjithësi për të gjitha partitë, deri më tani shuma totale e shqiptuar nga PZAP kalon 100 mijë euro. Po këtu hyn shkelja e rregullave të tjera”, thotë ajo.
Vetëm në javën e parë të fushatës zgjedhore, siç tregon Haxholli, janë rreth 20 raste të shfrytëzimit të resurseve shtetërore.
“Kemi hasur që në 18 raste që partitë politike kanë shfrytëzuar resurset shtetërore, këtu përfshihen përdorimi i veturave zyrtare dhe i shërbyesve publikë gjatë orarit të punës. Siç dihet, legjislacioni parasheh që veturat zyrtare sipas protokollit shtetëror mund t’i përdorin vetëm kryeministri i vendit, kryetari i Kuvendit dhe ministri i Jashtëm. Ndërsa, në rastet kur shteti mund të vlerësojë që mund të ketë ndonjë rrezik për ministrat, atëherë hyn edhe në funksion protokolli i sigurisë dhe në këtë rast mund që edhe ministri i Punëve të Brendshme të shfrytëzojë veturat zyrtare. Ndërsa, tek rasti i shërbyesve publik ata kanë të drejtë të marrin pjesë në aktivitete të partive politike vetëm pas orarit të punës, jo gjatë orarit të punës”, shprehet Haxholli.
Ani pse në orar të punës, ka raste kur shërbyes civilë marrin pjesë në tubime të partive politike, thotë Viona Bunjaku nga “Lëvizja Fol”.
“Ne kemi identifikuar që pesë prej tyre [raste] janë vetura zyrtare që janë përdorur nga partitë politike për të shkuar në fushatë. Pastaj kemi edhe nëpunës publikë të cilët gjatë orarit të tyre të punës kanë shkuar në tubime zgjedhore. Duke filluar nga mjekë, punëtorë, shërbyes civilë në administratë publike, të cilët janë të ndaluar gjithashtu me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme. Shfrytëzimi i resurseve publike ka ndodhur jo vetëm këtë vit, është diçka që na përcjell vazhdimisht në zgjedhje. Pasi që edhe veturat edhe gjitha këto mjete të cilat janë të ndaluara me ligj, përdoren në fushata zgjedhore”, thotë Bunjaku për KosovaPress.
Shfrytëzimi i resurseve shtetërore, sipas Violeta Haxhollit nga KDI, në disa raste po bëhet qëllimisht.
“Disa bëhen qëllimshëm, disa shkelje të rregullave bëhen edhe nga pakujdesia. Ne mendojmë se qëllimshëm bëhet përdorimi i gjuhës nxitëse, përdorimi i gjuhës së urrejtjes për të cilat subjektet politike e dinë që është e ndaluar por që po vazhdojnë ato ofendimet, fyerjet e liderëve ndaj njëri-tjetrit. Pastaj disa bëhen nga pakujdesia”, përfundon Haxholli.
Qysh në ditët e para të fushatës PZAP-ja ka dënuar disa subjekte politike për shkak të gjuhës së përdorur në tubime.
Fushata ka nisur më 11 janar, ndërkaq zgjedhjet do të mbahen më 9 shkurt.
Më 9 shkurt në Kosovë do të mbahen zgjedhjet parlamentare, ku fushata zgjedhore ka filluar më 11 janar.