Paraprakisht njoftohen në telefon për ditën dhe orën.
Për të mos u kuptuar për veprimet e kundërligjshme, kështu po veprohet për t’u paraqitur dhe pranuar paratë, në këtë lokal i cili është afër objektit të komunës së Zveçanit.
Media mëson eksluzivisht se qytetarët e komunitetit serb kanë filluar të pranojnë shuma parash për të votuar subjektin Lista Serbe në zgjedhjet e 9 shkurtit.
E shuma që ata marrin mësohet të jetë 20 mijë dinarë.
Aty u panë të shtunën lëvizjet e qytetarëve në këmbë, e me vetura të parkuara para lokalit.
Gjatë qëndrimit të televizionit në këtë lokacion, lokali u mbyll.
Se kjo veprimtari po ushtrohet ilegalisht e konfirmuan për tëvë1 edhe nga Komuna e Zveçanit.
“Tash e disa ditë kemi pa numër më të shtuar të personave në atë lokal, por që ne nuk kemi ndonjë informacion lidhur me arsyet pse dhe si. Ne mendojmë se është kohë fushate dhe për më tepër nuk kemi informacion”, thonë nga Komuna e Zveçanit.
Ngjashëm po veprohet edhe në komunën e Leposaviqit.
Pas interesimit të televizionit, policia e Kosovës tha se për këtë rast kanë filluar hetimet.
“Policia e Kosovës në vazhdimësi vëzhgon dhe verifikon lokacionet e ndryshme në veri të vendit që mund të paraqiten si sfiduese për institucionet e sigurisë. Edhe ky lokacion nuk përbën përjashtim. Situata e sigurisë në veri vazhdon të mbetet e qetë por delikate, ndërsa Policia e Kosovës është e gatshme të reagojë në rast nevoje”, tha zëvendësdrejtori i Policisë së kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Në një raport të publikuar të shtunën nga organizata joqeveritare Demokracia në Veprim u tha se është shqetësues vendimi i qeverisë serbe për ndarjen e parave për serbët e Kosovës.
Reagim për këtë rast ka pasur edhe nga ish-anëtari i Partisë Progresive Serbe, Dragan Šormaz i cili ka deklaruar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq po financon Listën Serbe për siç ka thënë ai, lojërat e ndyra që po bënë për të fituar Lista Serbe ulëse në Kuvendin e Kosovës.