Javë më parë është raportuar nga disa autoshkolla në rrjete sociale se do të ndryshohen pyetjet në testet për patentë shofer në Republikën e Kosovës.
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në një intervistë me shkrim për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar këtë ndryshim.
Nga MMPHI bëjnë të ditur se ky sistem i ri testimit për kandidatët që do të hynë në testim për patentë shofer në kategorinë B do të ketë ndryshime në pyetjet e përditësuara dhe të një formati të ri të testit.
“Do të implementohet një sistem i ri testimi për të gjitha kategoritë, që përfshin pyetje të përditësuara dhe një format të ri të testit. Ky sistem synon të përmirësojë procesin e testimit dhe të sigurojë që kandidatët të kenë njohuri të përditësuara mbi rregullat e trafikut dhe sigurinë rrugore. Me publikimin e doracakut zyrtar, kandidatët kanë një burim të standardizuar për përgatitje, duke mundësuar një qasje më të strukturuar dhe të unifikuar në mësimin e materialit të nevojshëm për provimin e patentës së shoferit”, thuhet në përgjigjen e MMPHI.
Tutje Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për portalin rtv21.tv, thekson se ky sistem pritet të hyjë në fuqi nga 18 shkurti.
“Doracaku u publikua në maj 2024 dhe është në dispozicion për kandidatët dhe Autoshkollat që nga ajo kohë. Sistemi i ri i testimit për kategorinë B është planifikuar të hyjë në fuqi më 18 shkurt 2025. Doracaku mbulon të gjitha kategoritë e patentë shoferit, përfshirë kategoritë A, B, C1, C dhe D. Kjo do të thotë se të gjitha këto kategori përfshihen në materialin e ri dhe do të ndyshohen”, bën të ditur MMPHI.