Prishtinë- Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar masën e paraburgimit Vesel Bunjakut, i dyshuar për manipulim me prova në rastin e vrasjes që ndodhi më 1 shtator 2024 në lagjen “Aktash” në Prishtinë.
Këtë e konfirmoi për “Betimi për Drejtësi“, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
“Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit V.B., Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda me datë 10.02.2025 ka marr Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e PTHP-në, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurit V.B. iu është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj”, thuhet në përgjigje.
Sipas Dosjes së Prokurorisë, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, ekziston dyshimi i arsyeshëm se më 1 shtator 2024, sipas orës së kamerave 21:42:16, e cila ka dallim me kohën reale, pas përfundimit të gjuajtjeve mes dy grupeve, me qëllim të fshehjes dhe manipulimit me prova, i pandehuri Vesel Bunjaku merr dy armë të cilat dyshohet se njëra është e të pandehurit Salih Sekiraqa dhe tjetra e të pandehurit Fatos Abazi.
Më tej, në kërkesën e Prokurorisë thuhet se i pandehuri Bunjaku shkon në tarracën e lokalit në drejtim të banakut, ku nga kamerat e lokalit vërehet se në dorë mban armë, pastaj del nga pjesa e prapme e lokalit i fsheh armët dhe kthehet në lokal sipas kohës së kamerave 21:42:36, ku në duar nuk ka më asgjë.
Me këtë, dyshohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Manipulim me prova” nga neni 389, par.1 të Kodit Penal.
Gjithnjë sipas kërkesës së Prokurorisë, me datë, kohë dhe vend të përshkruar si në dispozitivin e parë, i pandehuri ka mbajtur në posedim të paautorizuar armët e zjarrit, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët, të cilat armë janë përdorë si mjete për kryerjen e veprave penale.
Me këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.
Ndryshe për vrasjen e ndodhur në lagjen Aktash në Prishtinë nën masën e paraburgimit gjenden edhe Korab Gashi, Valdrin Ademi, Robert Llumnica, Salih Sekiraqa dhe Fatos Abazi, të dyshuar për rastin e vrasjes së Premtim Gashit.