Arrestohet në Shkup një person i dyshuar për krime lufte, thotë Daçiq

Lajme

Arrestohet në Shkup një person i dyshuar për krime lufte, thotë Daçiq

Më: 15 shkurt 2025 Në ora: 19:08
Foto ilustrim

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha të shtunën se një person është arrestuar në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, nën dyshimin për krime lufte në Kosovë më 1999.

Ai tha se i dyshuari, me inicialet E.B., i lindur në vitin 1970, u arrestua nga policia e Interpol-it me kërkesë të Serbisë, bazuar në një fletarrestim ndërkombëtar.

Mediat maqedonase raportuan se bëhet fjalë për një ish-pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga komuna e Ferizajt.

Autoritetet kosovare nuk kanë komentuar.

Daçiq tha se i dyshuari, të cilit iu referua si "shtetas serb", kërkohet nga Departamenti Special për Krime Lufte i Gjykatës së Lartë në Beograd, "me qëllim të zhvillimit të procedurës penale për krime kundër civilëve, të kryera në qershor të vitit 1999 në Komunën e Ferizajt”.

Serbia i njeh shtetasit e Kosovës si pjesë të Serbisë, pasi nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 2008.

Policia vendase dhe Prokuroria Publike për Krime Lufte kanë dorëzuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm te autoriteteve e Maqedonisë së Veriut, në bazë të të cilave i dyshuari është urdhëruar të mbahet në paraburgim për 30 ditë, në pritje të ekstradimit, tha Daçiq./REL

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat