Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq u takua sot në Moskë me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov. Vizita e tij erdhi në ditën kur Kosova shënon 17-vjetorin e pavarësisë. E për këtë, Gjuriq nuk e la pa u ankuar.
Gjuriq përsëriti pretendimet e tij se gjoja Kosova ka shkelur Kushtetutën duke shpallur pavarësinë e saj.
“I jemi mirënjohëse Rusisë për qëndrimin e saj të prerë dhe parimor për çështjen e Kosovës dhe shpresojmë që me ndryshimet tektonike në bashkësinë ndërkombëtare të hapet më shumë hapësirë që kjo çështje të zgjidhet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe në mënyrë të civilizuar”, tha ai, shkruajnë mediat serbe.
Përkundër faktit që Rusia vazhdon të kritikohet nga Perëndimi për luftën pushtuese në Ukrainë, Serbia vazhdon t’i qëndrojë besnike.
“Ky do të jetë një vit i mirë për bashkëpunimin ruso-serb”, ka thënë ai.
Në këtë takim u tha se Rusia vlerëson marrëdhëniet me Serbinë që i kanë rezistuar kohës.
"Ne i vlerësojmë marrëdhëniet tona që i kanë qëndruar provës së kohës, ndonjëherë shumë të vështira. Ato bazohen në marrëdhëniet miqësore mes popujve tanë dhe vendosmërinë për të ruajtur kujtesën e historisë së miqësisë sonë dhe kujtimin e ngjarjeve që e shtynë Evropën në luftën më të tmerrshme botërore në të cilën vdiqën shumë serbë dhe shumë popuj të Bashkimit Sovjetik, dhe një nga detyrat është bashkimi i përpjekjeve për të parandaluar një tragjedi të tillë”, tha Lavrov në fillim të takimit.
Siç raportojnë mediat ruse, në fillim të takimit, Gjuriq i ka përcjellë Lavrovit mirënjohjen e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për mbështetjen e tij për “integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë” kur bëhet fjalë për Kosovën.
Para takimit me Lavrovin, Gjuriq në rrjetin social X ka njoftuar se vizitën në Rusi e ka nisur duke vizituar Katedralen e Krishtit Shpëtimtar dhe Muzeun e Fitores në Moskë.
“Për tetë dekada, Serbia ka kultivuar parimisht dhe me krenari një politikë të ruajtjes së kujtesës së luftës historike kundër fashizmit dhe nazizmit dhe faktit se goditja vendimtare ndaj ideologjive të urrejtjes në Luftën e Dytë Botërore u dha në Frontin Lindor”, tha ministri.