Në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës është hapur ekspozita “Pavarësia e Kosovës në shtypin shqiptar”.
Me rastin e 17 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në Bibliotekën “Pjeter Bogdani” në Prishtinë u hap sot ekspozita “Pavarësia e Kosovës në shtypin shqiptar”.
Kjo ekspozitë solli në vëmendje mënyrën se si mediat shqiptare pasqyruan shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008 dhe zhvillimet që e shoqëruan këtë ngjarje historike.
Adelina Çekaj, qytetare, kishte ardhur nga afër për të parë këtë ekspozitë. Ajo thotë se ka parë gazeta të dikurshme që sot fatkeqësisht nuk botohen, derisa shton se në titujt të gazetave është një histori e cila duhet të përcjellët brez pas brezi.
Çekaj: Këta tituj thonë shumë për ne si popull
Mendoj që jo vetëm ne që e kemi përjetuar luftën si gjeneratë, por edhe gjeneratat e reja, tashmë po e shijojnë pavarësinë e Kosovës, të dinë historikun e kësaj ekspozite. Ajo çka unë pash janë shumë gazeta të dikurshme që fatkeqësisht sot nuk botohen, por që këta tituj thonë shumë për ne si popull, sepse kjo është një histori e cila është e shkruar dhe që duhet të përcjellët gjeneratë pas gjenerate, të shohin se çka faktikisht ka vuajtur populli i Kosovës, dhe çfarë sakrifice ka bërë ky popull, që ne sot e gëzojmë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, .
Një tjetër qytetare Naile Çekaj, thotë se kjo ekspozitë është shumë e qëlluar, pasi prezanton historinë tonë.
Çekaj: Kjo ekspozitë prezanton shumë historinë tonë
Po unë mendoj që është një ekspozitë e qëlluar se prezanton shumë historinë tonë, edhe pjesën kur është shpallë pavarësia. Unë e pash që nuk ishin tituj vetëm nga Kosova, por ishin edhe tituj nga Shqipëria, tituj kanë shkruar edhe mediat botërore. Për neve ka qenë një ditë shumë e madhe, nuk besoj që ka qenë veç për neve që kemi qenë gjenerata më të reja, por edhe për tjerët që e kanë pritur këtë ditë me shekuj. Ne normalisht kemi qenë duke e pritë me gëzim për shpalljen e pavarësisë, nuk e kemi ditur datën, por kemi qenë para televizionit”, tha ajo.
Sot në 17 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, qytetarët po festojnë me krenari këtë ditë, duke kujtuar të gjithë ata që sakrifikuan shumë për të arritur këtë ditë.