Për herë të parë në Kosovë, gjegjësisht në Klinikën e Neonatologjisë do të fillojë të bëhet Skriningu Neonatal Metabolik, për foshnjat e porsalindura në QKUK. Kështu kanë bërë të ditur për Radio Kosovën drejtues nga Klinika e Neonatologjisë. Skriningu neonatal ka për qëllim identifikimin sa më të hershëm të sëmundjeve te foshnjat e porsalindura.
Në Klinikën e Neonatologjisë, në qendrën kryesore spitalore të vendit shumë shpejt pritet të fillojë Skriningu Neonatal Metabolik, për foshnjat e porsalindura. Kjo analizë shërben për identifikimin e hershëm të sëmundjeve të rënda metabolike dhe gjenetike te të porsalindurit. Drejtori i Klinikës së Neonatologjisë, Luan Morina, shpreson se ky projekt që është në fazën finale të testimit, do të shënojë një kthesë të rëndësishme në avancimin e identifikimit të hershëm të problemeve te foshnjat.
“Është siguruar hapësira, janë sjellë pajisjet moderne për këtë testim, është caktuar dhe trajnuar stafi, laborantet, biokimistët dhe infermierët nga Klinika e Neonatologjisë,” thotë Morina për Radio Kosovën.
Sipas Morinës, Skriningu do kryhet brenda 24 deri në 48 orëve pas lindjes dhe mundëson diagnostikimin e sëmundjeve që mund të mos shfaqin simptoma menjëherë, por që, nëse nuk zbulohen në kohë, mund të kenë pasoja serioze për shëndetin dhe zhvillimin e fëmijës.
“Ne do t’i testojmë të gjitha foshnjat e porsalindura dhe do të shohim nëse këta fëmije do të kenë ndonjë çrregullim gjenetik që mund të vuajnë prej njërës nga këto sëmundje siç janë: hipotiroidizmi kongjenital, fenilketonuria, fibroza cistike, galaktozemia dhe atrofia muskulore spinale, “ ka thënë Morina.
Radio Kosova ka biseduar me disa nëna foshnjat e të cilave kishin probleme të ngjashme dhe ato i kanë shpjeguar Radio Kosovës se kanë pasur vështirësi në diagnostikim.
Zyrtarët e Qendrës Klinike dhe Universitare të Vendit thonë se skriningu do të eliminojë shumë probleme të hershme të foshnjave.
Ndërsa Ministria e Shëndetësisë ka thënë se me skriningun vendi po tejkalon një nga problemet serioze që kishte në diagnostikimin e shumë sëmundjeve te të porsalindurit.