Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, i ka dorëzuar ish-prokurores së Prokurorisë Speciale, Drita Hajdari, medaljen e Kalorësit të Urdhrit Kombëtar të Meritës, në shenjë mirënjohjeje për angazhimin e saj të jashtëzakonshëm për drejtësinë dhe sundimin e ligjit.
Guerot tha se përmes kësaj mirënjohjeje shpërblen veprimtarinë e shquar për ish-prokuroren Hajdari, të realizuar falë angazhimit të saj profesional. Ai tha se e njëjta gjatë punës së saj është përballur me presione dhe kërcënime, por nuk është dorëzuar asnjëherë.
Guerot: Hajdari është shquar me guximin e saj për të luftuar krimin dhe korrupsionin
“Zonja Hajdari është përballur me presione dhe kërcënime, por nuk është dorëzuar asnjëherë. Vendosmëria, integriteti dhe këmbëngulja juaj do të vazhdojnë të jenë të palëkundura gjatë gjithë karrierës suaj. Si prokurore speciale dhe drejtuese e Departamentit të Krimeve të Luftës brenda Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës nga viti 2016 deri në 2023, ju keni menaxhuar shumë raste të vështira dhe veçanërisht komplekse të korrupsionit, terrorizmit dhe krimeve të luftës, duke i çuar ato drejt një përfundimi të suksesshëm, pavarësisht të gjitha pengesave të hasura. Ish-prokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Hajdari është shquar me guximin, integritetin dhe vendosmërinë e saj për të luftuar krimin, korrupsionin dhe shkeljet e të drejtave të njeriut. Guximi dhe profesionalizmi është dëshmuar në veçanti në shumë lëndë të ndjeshme, duke e bërë atë një figurë të respektuar në Kosovë dhe më gjerë. Puna e saj në Prokurorinë Speciale të Kosovës kontribuoi dukshëm në forcimin e institucioneve të drejtësisë dhe konsolidimin e demokracisë në vend… Kjo dekoratë nderi është një simbol i angazhimit tuaj për të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe drejtësinë, vlera që mbrohen gjithashtu nga Franca dhe që ambasada këtu i përkrah me vendosmëri në punën e saj me aktorët e ndryshëm të sistemit gjyqësor”, tha ai.
Ish-prokurorja e Prokurorisë Speciale, Drita Hajdari, u shpreh mirënjohëse për ndarjen e kësaj dekorate nga shteti i francez, derisa tha se ajo asnjëherë nuk ka bërë kompromis me drejtësinë.
Hajdari: Duhet të shikosh ujkun drejt në sytë e tij - asnjëherë nuk kam bërë kompromis
“Unë jam një idealiste dhe ideali im është drejtësia. Në ditën time të parë të punës si avokate, nëna ime më tha "gjyko në emrin e Zotit" që do të thotë, merr vendime të bazuara në ligj. Gjatë gjithë karrierës sime, unë kam mbrojtur të drejtat e viktimave, dhe në të njëjtën kohë të drejtat e të akuzuarve. Disa nga të akuzuarit që i kam ndjekur ligjërisht, ishin nga bota e korrupsionit, favorizimeve dhe krimit të organizuar. Unë gjithashtu jam marrë me çështje të terrorizmit. Në ato kohë të vështira, fjalët e babait tim "duhet të shikosh ujkun drejt në sytë e tij", bënin jehonë në mendjen time. Jam përfshirë në shumë raste komplekse, që përfshinin shumë sfida dhe vështirësi, por kam qenë e guximshme çdo herë. Unë kurrë nuk kam bërë kompromis, sepse për këtë është puna ime”, tha ajo.
Urdhri Kombëtar i Meritës është krijuar nga presidenti francez, gjenerali Charles de Gaulle më 3 dhjetor 1963. Urdhri Kombëtar i Meritës u ndahet shtetasve të huaj që kanë ofruar shërbime kulturore, ekonomike, shkencore për Francën ose kanë promovuar çështje që Franca mbron si të drejtat e njeriut, liria e shtypit, çështje humanitare, etj.