​Paralajmërimi i MKRS-së për ngrirje të buxhetit, reagojnë federatat

Lajme

​Paralajmërimi i MKRS-së për ngrirje të buxhetit, reagojnë federatat

Më: 1 mars 2025 Në ora: 10:14
Foto ilustrim

Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport (MKRS) përmes një e-maili zyrtar të enjten njoftoi federatat sportive se mund të përjashtohen nga mbështetja financiare nëse nuk i harmonizojnë statutet e tyre me Ligjin e ri për Sport.

Deri më tani, sipas MKRS-së 32 federata nuk e kanë kryer këtë obligim dhe si rrjedhojë ato nuk do të mund të përfitojnë mbështetje financiare nga kjo ministri, madje as nga Ligji i Sponzorizimit.

Por, përfaqësuesit e këtyre federatave shprehen të bindur se do ta plotësojnë këtë kusht ditëve në vijim. Valon Nikqi, sekretar i Federatës së Volejbollit, thotë për KosovaPress, se harmonizimi me ligjin e ri nuk është ndonjë pengesë e madhe dhe se do të përmbushet si kriter së shpejti nga kjo federatë.

Nikqi: Po punojmë që t’i përmbushim kërkesat e MKRS-së

“Është e vërtetë që kemi marrë nga Ministria e Sportit, respektivisht prej Komisionit për Licencim ku kanë kërkuar që të bëhet harmonizimi i akteve normative të federatës, në këtë rast statutit të federatës me Ligjin e ri për Sport. Ne si federatë e kemi mbajtur kuvendin zgjedhor gjatë muajit shtator, kështu që jemi në përgatitje të kuvendit të rregullt të punës që do ta mbajmë në fillim të muajit mars...Nuk është ndonjë kërkesë e madhe, duhet të harmonizohet preambula e statuteve të federatave, si dhe të inkorporohet në statut që një përfaqësues i sportistëve të jetë pjesë e bordit ekzekutiv nëpër federatat sportive”, bën të ditur Nikqi.

Kurse, kryetari i Federatës së Sporteve Shkollore, Adrian Telaku, thotë se kërkesa e MKRS-së nga kjo federatë nuk është përmbushur ende për shkak të disa angazhimeve të tjera në gara, por që, sipas tij, edhe federatat nuk janë fajtore për këto vonesa për shkak se komuniteti sportiv ka shumë problematika.

Telaku: Nuk jemi ne fajtorë sepse komunitetit sportiv në Kosovë ka disa problematika

Si çdo federatë tjetër kemi filluar punimet por një ndër problematikat që na ka shtyrë ne deri në këtë moment është që e kemi pasur edhe çështjen e harmonizimit të statutit edhe nëpër shoqatat lokale...Paraprakisht i kemi përfunduar të gjitha procedurat dhe harmonizimin e statutit e kemi bërë, grupet punuese brenda federatës që punojnë në këtë aspekt e kanë përfunduar punën e tyre, vetëm e kemi pritur që të përfundoj cikli i zgjedhjeve nëpër shoqata...Nuk jemi edhe ne në këtë aspekt fajtorë për arsye se komuniteti i sportit në përgjithësi në Kosovë është pak më specifik në këtë aspekt dhe i ka problematikat e veta”, thotë Telaku.

Federata e Basketbollit është ndër pak federata që e ka plotësuar kriterin e kërkuar nga MKRS. Sekretarja e kësaj federate, Elvira Dushku thotë se këtë e kanë bërë pasi kanë pasur komunikim të vazhdueshëm me zyrtarët e kësaj ministrie.

Dushku: Jemi ndër federatat e para që kemi harmonizuar statutin me Ligjin e Sportit

“Ne kemi qenë vazhdimisht me zyrtarët e ministrisë dhe na është thënë se duhet të jetë fundi i muajit janar kur duhet të bëhen ndryshimet statutare konform Ligjit të ri të Sportit, por përveç ndryshimeve statutare aty ka edhe në akte të tjera normative të cilat rrjedhin si rezultat i përputhshmërisë me statutet e Ligjit të ri të Sportit. Ne jemi ndër federatat e para që e kemi mbajtur Kuvendin statutar dhe të punës më 31 janar dhe i kemi harmonizuar këto ndryshime sipas Ligjit të ri të Sportit”, deklaron Dushku.

Nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), kanë thënë për KosovaPress, se janë të gatshëm t’i ndihmojnë federatat në aspektin ligjor për t’i përmbushur kriteret e kërkuara nga Ministria e Sportit.

“Federatat e kanë pasur mbështetjen e KOK-ut qysh nga koha e licencimit, kur është dashur të bëhet komplet legjislativi dhe e njëjta vlen edhe për harmonizimin e statuteve bazuar me Ligjin e ri për Sport, ku ne shprehim vullnetin dhe gatishmërinë tonë për t’i ndihmuar federatat në këtë rast”, thuhet në përgjigjen me shkrim të KOK-ut për KosovaPress.

Në njoftimin zyrtar të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport vërehet se vetëm gjashtë federata, ajo e Basketbollit, e Hendbollit, e Notit, e Triatlonit, e Karatesë dhe e Pingpongut, janë ato që kanë harmonizuar statutet e tyre me Ligjin e ri për Sport. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat