Bekim Jashari tregon amanetin e të rënëve për liri

Lajme

Bekim Jashari tregon amanetin e të rënëve për liri

Më: 5 mars 2025 Në ora: 12:22
Bekim Jashari

Bekim Jashari tregon amanetin e të rënëve për liri

Për shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Komuna e Prishtinës ka organizuar një seancë solemne, ku kryetari i komunës, Përparim Rama, ndau mirënjohje për familjen Jashari si simbol të sakrificës dhe angazhimit të kryeqytetit në ruajtjen e vlerave të shtetit të Kosovës.

Derisa seanca nisi me intonimin e himnit të Kosovës dhe atij kombëtar, u mbajt edhe një minutë heshtje në nderim të dëshmorëve dhe martirët e UÇK-së.

Rama theksoi se sakrifica e familjes Jashari ka qenë një pikë kthese në rrugën e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë, duke kujtuar momentet e marsit 1998, kur në Prekaz nuk u zhvillua thjesht një betejë, por një legjendë.

Ai e vlerësoi Adem Jasharin dhe familjen Jashari si figura të pavdekshme të lirisë dhe kujtoi se Kosova duhet të jetë një vend i drejtësisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët.

“Një sakrificë që nuk ishte vetëm akt trimërie, por pikë kthesë që vulosi rrugën tonë drejt lirisë e pavarësisë. Kujtojmë fillim marsin e vitit 1998, ato ditë ku në Prekaz nuk u zhvillua thjesht një betejë, por u ngrit një legjendë. Ato ditë kur Adem, Hamëz e Shaban Jashari bashkë me 56 anëtarë të familjes së tyre ranë për mos të vdekur kurrë. Ranë që Kosova të ngrihej më e fortë se kurrë. Prekazi nuk ishte vetëm një betejë, por një kushtrim që kapërceu kufijtë e kësaj toke, një thirrje që u bë dëshmi se shqiptarët kur luftojnë për atdheun e vet nuk mund t’i gjunjëzoj askush. Sot në këtë seancë solemne përulemi me nderim të thellë para sakrificës së familjes Jashari, para Adem Jasharit, komandantit legjendar që u bë vetëm mishërimi i lirisë, para strategut të paepur, Hamëz Jasharit, para Shaban Jasharit, burrit të urtë që rriti heronj, si dhe para çdo anëtari tjetër të kësaj familje, vatra e të cilës u kthye në kështjellë të pamposhtur të shqiptarisë…Kemi një detyrë ndaj atdheut, prandaj, Kosova që po ndërtojmë duhet të jetë Kosova e vlerave ku drejtësia nuk njeh kompromise dhe çdo qytetarë ndihet i barabartë”, tha Rama.

I pranishëm në këtë seancë ishte edhe pjesëtari i familjes Jashari, Bekim Jashari, i cili derisa foli edhe për amanetin e të rënëve për liri.

“Dëshmorët e kombit janë vëllezër e motra të lidhur nga ideali i lirisë, të bashkuar me kauzën e shenjtë të atdheut. Ata prehen të qetë në tokën e Kosovës, si themel i palëkundur i shtetit dhe si mburojë e pathyeshme ndaj çdo sfide që bëhet në vendin tonë. Sot duke kujtuar dhe nderuar ata që dhanë jetën për liri, nuk përulemi vetëm para së kaluarës, por ndërtojmë të ardhmen. Dëshmorët nuk u sakrifikuan që ne të mbetemi të ndarë, që të harrojmë vlerat dhe parimet për të cilat luftuan, përkundrazi, ata na lanë një amanet të shenjtë, të jemi të bashkuar dhe të punojmë për të forcuar shtetin dhe lartësuar kombin tonë. Ky amanet është detyrimi ynë më i madh. Ne nuk mund të lejojmë që gjaku i derdhur të mbetet thjesht një kujtim, duhet të nderojmë atë me vepra, dhe përkushtim të palëkundur. Kosova duhet të jetë vendi që ata nderuan, një shtet ku mbizotëron drejtësia, barazia dhe zhvillimi, ku çdo qytetar jeton me dinjitet dhe shpresë. Më shumë se kurrë na duhet guximi i tyre, vendosmëria dhe dashuria e pashtershme për atdheun”, tha Jashari.

Kryesues i Kuvendit Komunal në Prishtinë, Fehmi Kopina e quajti këtë ditë një moment reflektimi dhe nderimi për ata që dhanë gjithçka për lirinë e Kosovës. Ai u shpreh se liria është fituar me sakrificë dhe guxim dhe sipas tij, “është detyrë e secilit prej nesh ta mbrojmë atë me dinjitet”.

“Sot është një ditë e veçantë për ne, nuk është thjesht një datë e kalendarit, por një moment reflektimi dhe nderimi për ata që dhanë gjithçka për këtë tokë. Në këtë ditë ne kthejmë kokën pas dhe kujtojmë një nga faktet më madhështore të historisë tonë, Epopenë e UÇK-së. Ku trimëria, sakrifica dhe dashuria për atdheun u skaliten në përjetësi…Epopeja e UCK-së nuk është vetëm një ngjarje e lavdishme, por një testament i përjetshëm për lirinë që gëzojmë ne sot. Na mëson se liria nuk ndërrohet, por fitohet me sakrificë, e guxim. Çdo betejë e luftës sonë ishte një hap drejt pavarësisë së Kosovës. Por, sot në ketë ditë të shenjtë duhet të pyesim, a po e nderojmë sakrificën e tyre si duhet, apo e ndërtojmë Kosovën sipas idealit për të cilët ranë ata, sepse liria nuk është vetëm një fitore e së kaluarës, por një përgjegjësi për të ardhmen. Ne duhet të mbrojmë me dinjitet. Sot kur Kosova është shtet i pavarur, nuk duhet harruar se kjo liri ka një çmim, çmimin e jetës së atyre që dhanë gjithçka për ne. Prandaj, është detyrë e jona që të punojmë për një Kosovë më të mirë, për një shoqëri ku mbizotëron drejtësia, ku rinia ka shpresë, dhe ku amaneti i dëshmorëve respektohet me dinjitet”, tha ai.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i organizatës të dalura nga lufta, dega në Prishtinë, Fatmir Sopi kujtoi betejën historike të familjes Jashari dhe rëndësinë e saj në luftën për liri. Ai e përmendi intervenimin e NATO-s dhe kritikoi padrejtësinë ndaj çlirimtarëve që po përballen me procese gjyqësore të motivuara nga Beogradi.

“Kjo ngjarje ndodhi 27 vite më parë, shënon kthesën vendimtare dhe intensifikimin e veprimeve luftarake të UCK-së, kundër forcave ushtarake, policore e paramilitare serbe. Luftuan pa u tremb e gjithë familja, është një nga betejat e pashembullta në historinë tonë më të re dhe më gjerë. Kjo luftë pati jehonë të madhe kombëtare e ndërkombëtare, në vend të frikës sakrifica e familjes Jashari mobilizoi gjithë kombin shqiptar në luftë për liri…Si rezultat pati edhe intervenimin e forcës më të madhe ushtarake në botë, NATO-s…Ndërsa, sot nuk janë çlirimtarët, ata të cilët padrejtësisht po mbahen në Hagë duke u përballur me një proces gjyqësor i bazuar kryekëput në akuza dhe trillime të gatuara në Beograd”, tha ai.

5,6 dhe 7 marsi njihet si Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku u vranë 59 anëtarë të familjes Jashari pas rezistencës tri ditore.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat