​“Heqja e perdes” së syrit operacioni më i shpeshtë në Klinikën e Oftalmologjisë

Lajme

​“Heqja e perdes” së syrit operacioni më i shpeshtë në Klinikën e Oftalmologjisë

Më: 8 mars 2025 Në ora: 11:29
Foto ilustrim

Zgjerimi i gamës së shërbimeve të ofruara në Klinikën e Oftalmologjisë pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka bërë që të kursehen miliona euro, pasi numri i pacientëve për referim jashtë vendit, ka rënë dukshëm.

Ofrimi i shërbimeve siç është ai në segmentin e pasëm të syrit dhe operimi i kanaleve të lotit me laser, janë ndër shërbimet më të reja në këtë klinikë.

Drejtori i Klinikës së Syve, Mentor Gorani thotë për KosovaPress, se katarakta apo siç njihet “heqja e perdes”, është ndër operacionet më të shpeshta që kryhen në këtë klinikë. Ai shtoi se për kryerjen e këtij operimi, është reduktuar lista e pritjes.

Gorani: Me shërbimet e reja kursehen miliona euro, ka rënë numri i pacientëve për referim jashtë vendit

"Në vitin 2019 kemi pasur përafërsisht prej 500 deri në 700 pacientë të cilët janë referuar jashtë institucioneve publike shëndetësore për shërim, e që ka pasur një kosto të jashtëzakonshme si për vetë pacientin, ashtu edhe për buxhetin e shtetit. Ku tani kemi rreth 100 pacientë dhe në vit, përafërsisht kursehen prej 1.6 milion deri 2 milionë euro çdo vit. Është rritur gama e shërbimeve. Kanë nisur shërbimet operative të jepen edhe në segmentin e pasëm tësyrit. Në shumicën e patologjive, të cilat ne këtu mund t'i realizojmë në mënyrë të pavarur nga ekipi i cili merret me kirurgjinë vitroretinale. Po ashtu, viteve të fundit kemi pasur rritjen dhe futjen e shërbimeve të reja. Për shembull operimi i kanaleve të lotit me laser apo edhe shërbime të tjera si diagnostike ashtu edhe operative. Vitin e kaluar kemi pasur zbritje të madhe të listës së pritjes. Për operimin e kataraktës i cili është operacioni më i shpeshtë që ndodhë në klinikën e syve. Ku prej 1230 pacientëve, tani është lista në rreth 630 pacientë. Me këtë është zbritur edhe kohanga rreth 8-10 muaj në rreth 5-6 muaj", thotë Gorani.

Oftalmologu potencon se në vitin 2024, është rritur numri i operimeve në segmentin e pasëm të syrit. Sipas tij, ngritje ka shënuar edhe numri i dhënies së ineksioneve intravitreale për pacientët.

Përveç kësaj, Gorani thotë se me përmirësimin e infrastrukturës në Oftalmologji dhe zgjerimin e gamës së shërbimeve, në vitin 2024, është rritur edhe shfrytëzueshmëria e kapaciteteve të klinikës në 97 përqind, sa ishte 77 në vitin 2023.

Gorani: Rritje kemi pasur edhe në dhënien e ineksioneve intravitreale

"Në vitin 2023 kemi pasur rreth 2 mijë e 300 operacione të heqjes së perdes apo kataraktës me metodën ePhakoemulsifikimit.Kurse vitin 2024 ky numër është pothuajse 3 mijë operacione të tilla për heqjen perdes. Po ashtu, është rritur edhe numri i operacioneve në segmentin e pasëm të ashtuquajtur pastplanavitrektomi për rreth 15 për qind. Rritje tjetër kemi pasur edhe në dhënien e ineksione intravitreale. Ku në 2023-ën kemi pasur rreth 3 mijë ineksione, kurse në vitin 2024 rreth 4 mijë e 400 intervenime të tilla të dhënies së intraopertive të këtyre ineksioneve intravitreale. Risi tjetër është se në vitin 2024 kemi futjen në listën esenciale edhe të dy preparateve të reja antiVegf, të cilat ne i aplikojmë në klinikën tonë. Si rezultat i gjithë kësaj është rritur edhe shfrytëzueshmëria e kapaciteteve në klinikë. Ku në vitin 2023 ka qenë rreth 77 për qind. Kurse në vitin 2024 është rritur diku 97 për qind", potencon Gorani.

Ndër të tjera, drejtori i Klinikës së Syve në QKUK, Mentor Gorani tregon se numri i mjekëve specialist dhe stafit te mesëm arrin t’i përgjigjet nevojave të pacientëve.

Po ashtu, Gorani thotë se qëndrojnë mirë të furnizuar me barna esenciale dhe material shpenzues.

Gorani: Jemi në procedurë të rekrutimit të infermierëve të rinj

"Numri i shtretërve në klinikën tonë është 58, i cili përafërsisht i mbulon nevojat e klinikës tonë. Po ashtu, edhe me staf jemi mirë të mbuluar, i kemi 27 mjekë specialist edhe rreth 48 infermiere, jemi edhe në procedurë të rekrutimit të infermierëve tjerë...si dhe të mjekëve specialistë të cilët së shpejti do t'i kemi në klinikën tonë...Sa i përket barnave esenciale nga listat esenciale si dhe të materialit shpenzues i cili duhet të përmendim se është specifik për klinikën e syve, nuk kemi pasur asnjë mungesë në furnizimin e klinikës tonë me barna apo material shpenzues”, tregon Gorani.

Oftalnologu, Mentor Gorani thotë se edhe në vitin 2025 kjo klinikë po vazhdon me tempo të ngjajshme të ofrimit të shërbimeve dhe kryerjen e operacioneve të ndryshme për pacientët.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat