Në Ditën e Gruas, Posta e Kosovës nderon me pullë postare figurën e Nekibe Kelmendit

Lajme

Në Ditën e Gruas, Posta e Kosovës nderon me pullë postare figurën e Nekibe Kelmendit

Më: 8 mars 2025 Në ora: 12:49
Nekibe Kelmendi

Filatelia e Postës së Kosovës, me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, përmes pullës postare, ka nderuar figurën e veprimtares së shquar për të drejtat e njeriut dhe ish-ministres së Drejtësisë, Nekibe Kelmendi.

Nekibe Kelmendi (1944–2011) ishte një juriste dhe politikane e përkushtuar, e cila gjithë jetën e saj ia kushtoi mbrojtjes së të drejtave të njeriut. E njohur si një nga zërat më të fuqishëm në mbrojtjen e viktimave të dhunës, ajo la një gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës.

Pas luftës, si ministre e Drejtësisë, dha një kontribut të jashtëzakonshëm në ndërtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, duke punuar pa u lodhur për forcimin e sistemit të drejtësisë dhe garantimin e të drejtave të qytetarëve.

Në vitin 1999, përjetoi njërën nga tragjeditë më të rënda familjare, kur forcat serbe rrëmbyen dhe ekzekutuan bashkëshortin dhe dy djemtë e saj. Megjithatë, ajo e shndërroi dhembjen në forcë, duke vazhduar me përkushtim të palëkundur mbrojtjen e viktimave të dhunës dhe ndërtimin e një shoqërie më të drejtë.

Jeta dhe vepra e Nekibe Kelmendit mbeten një frymëzim për brezat e rinj, si një simbol i forcës, guximit dhe përkushtimit për drejtësi.

“Ky emision përbëhet nga pulla postare me nominale €1.30, si dhe Zarfi i Ditës së Parë, ndërkaq në dispozicion të qytetarëve do të jetë nga sot deri në konsum të plotë”, njofton Posta e Kosovës.

Në Ditën e Gruas, Posta e Kosovës nderon me pullë postare figurën e Nekibe Kelmendit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat