Serbët në veri protestojnë për arrestimin e disa të rinjve

Lajme

Serbët në veri protestojnë për arrestimin e disa të rinjve

Më: 8 mars 2025 Në ora: 17:08
Foto ilustrim

Një protestë paqësore e serbëve lokalë është mbajtur sot në Mitrovicë të Veriut me pretendimin se pjesëtarët e policisë së Kosovës dy ditë më parë ndaluan një grup të miturish “dhe i trajtuan brutalisht” nën dyshimin se kishin marrë pjesë në përleshje me qytetarë shqiptarë

Siç raporton agjencia shtetërore e lajmeve e Serbisë, “Tanjug”, prindërit dhe qytetarët fillimisht u mblodhën para stacionit policor, e më pas ecën deri te ura kryesore mbi lumin Ibër, ku kërkuan nga pjesëtarët e KFOR-it që të garantojnë sigurinë e tyre.

“Për shkak të sjelljes së pamatur dhe brutale të policisë, prindërit e kanë raportuar rastin në Inspektoratin Policor, KFOR-in dhe EULEX-in”, thotë kjo agjenci lajmesh.

Më 6 mars, policia e Kosovës njoftoi për një rrahje të ketë ndodhur mes disa të rinjve shqiptarë dhe serbë.

Ngjarja u tha se ndodhi në rrugën “Sutjeska” në Mitrovicën e Veriut.

Rastin për Klankosova.tv e pati konfirmuar Petrit Fejza, shef i operativës në policinë e rajonit në veriut.

Fejza pati thënë se dy persona kanë pësuar lëndime trupore, derisa janë arrestuar katër të dyshuar.

“Një grup prej katër të rinjsh serbë i kanë sulmuar disa të rinj shqiptarë. Dy prej të rinjve shqiptarë kanë pësuar lëndime dhe janë dërguar për trajtim mjekësor”.

“Fillimisht janë marrë katër si të dyshuar, por tre prej tyre janë liruar pas verifikimit të kamerave”, pati deklaruar Fejza.

Ai kishte thënë se po punohet edhe në verifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në rast.

Ndërkaq, një ditë më pas (e premte, 7 mars), policia njoftoi se kishte arrestuar edhe dy persona të tjerë lidhur me këtë rast.

“Lidhur me rastin e përleshjes e cila ka ndodhur me datë 06.03.2025 rreth orës 21:00 ku ishin shoqëruar në stacion policor 4 persona si të dyshuar, mirëpo pasi që është vërtetuar se tre (3) prej tyre nuk kishin të bëjnë me rastin, të njëjtit janë liruar menjëherë ndërsa njëri nga ta është intervistuar si i dyshuar dhe më pas liruar në procedurë të rregullt. Personat e lënduar kanë pranuar trajtim mjekësor dhe është kontaktuar Prokurori kujdestar”.

“…më datën 07.03.2025, pas një pune intensive hetimore nga njësitet policore, janë identifikuar edhe 3 persona të përshirë në rast ku prej tyre, 2 janë shoqëruar në stacion të cilët pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt ndërsa personi tjetër është identifikuar dhe mbetet në interes për policinë që të intervistohet”, kishte thënë Policia më 7 mars.

E për pretendimin se njëri nga ta është rrahur nga Policia, deri më tani nuk ka ndonjë njoftim zyrtar. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat