Vrasje pas vrasjeje, sociologu Konushevci: Alarm për gjithë shoqërinë, të bëhet urgjencë shtetërore

Lajme

Vrasje pas vrasjeje, sociologu Konushevci: Alarm për gjithë shoqërinë, të bëhet urgjencë shtetërore

Më: 26 mars 2025 Në ora: 09:01
Foto ilustrim

Të dielën në Vushtrri një 19 vjeçar u vra nga bashkëmoshatari i tij, të hënën po në këtë komunë një punëdhënës vrau ish –  punëtoren e tij dhe më pas veten, mbrëmë në Prishtinë një i vrarë. Kjo seri vrasjesh rihapi diskutimin në këtë rrafsh, duke vënë theksin te mundësitë e luftimit më efikas të kriminalitetit dhe në suaza të mundësive, parandalimin e kësaj dukurie.

 Sociologu, Labinot Konushevci për eo shprehu shqetësimin e tij për këtë fenomen, duke theksuar se duhet të bëhet një urgjencë kombëtare dhe shtetërore për të adresuar këto çështje, pasi ato prekin sigurinë dhe ardhmërinë e gjeneratave të reja.

Vrasjet e fundit i shoh me shumë shqetësim për arsye se kjo tregon që këto fenomene duhet të shndërrohen në një alarm për gjithë sistemin, për të gjithë shoqërinë dhe shtetin. Duhet të bëhet një urgjencë kombëtare dhe shtetërore, sepse bëhet fjalë për sigurinë dhe për ardhmërinë, sidomos të gjeneratave të reja. Niveli i vetëdijes sigurisht që është i ulët dhe ka kompleksitet faktorësh që krijojnë terrene dhe fenomene të tilla kriminale të vrasjeve, për arsye se kemi një dështim të sistemit”, tha Konushevci.

Ai vlerëson se faktorët që do ta parandalonin dhunën janë shumë të dobët.

“Dhuna është një fenomen që ndodh gjithkund në botë, nuk është që e kemi shpikur ne, mirëpo si fenomen faktorët që do ta parandalonin apo do të sensibilizonin publikun për të reaguar në mënyrë racionale në raport me dhunën janë shumë të dobët. Kemi një sistem arsimor që improvizon dhe që nuk e lufton bullizmin, në thelb por merret me pasoja. Kemi një sistem medial, që është i orientuar në sensacionin që prodhojnë veprime të tilla dhe jo sensibilizimin publik përmes përfshirjes së ndryshme. Edhe po ashtu edhe si shoqëri kemi dështim të inteligjencave të ndryshme, sidomos inteligjenca emocionale që mund të jetë mekanizëm i fortë për të parandaluar dhunën”, shtoi ai.

Sociologu Konushevci vuri në dukje se mbi 200 mijë armë pa leje ndodhen në duar të qytetarëve, që mund të kenë predispozita dhune.

Qasja e pakontrolluar në armë jolegale është vërtet shqetësuese. Numërohet një statistikë rreth 200 mijë armë pa leje që gjendet në duar e qytetarëve dhe këta qytetarë potencialisht mund të jenë njerëz me predispozita dhune, që në situata të caktuara nga mungesa e vetëkontrollit dhe  inteligjenca emocionale mund të bëjë një veprim, i cili do të shkaktojë pasoja afatgjatë. Mungon një kontroll më i rreptë i shtetit mbi armët dhe identifikimin e njerëzve, sidomos adoleshentëve që kanë mundësi dhune. Sigurisht që duhet ta shohë sistemi i arsimit përmes mekanizmave të brendshëm shkollorë, mirëpo edhe sistemi i arsimit çalon në këtë pikëpamje. Për shkak se efikasiteti i psikologëve dhe sociologëve është shumë i dobët, librat shkollorë përmbajtësisht qëndrojnë shumë mirë, por në implementim nuk ka rezultate të dukshme”, tha ai. 

Konushevci theksoi se lufta kundër dhunës duhet të fillojë nga shkaqet, duke u fokusuar te adoleshentët dhe duke siguruar mbështetje për shëndetin mendor.

“Dhuna nuk luftohet me popullizëm, as me improvizim, as me kampanja, por ajo duhet goditur në thelb. Duhet zbuluar shkaqet dhe të bëhet njëfarë diferencimi i adoleshentëve, që kanë prirje dhune që duhet të merren në mënyrë periodike në konsulta dhe të trajtohet shëndeti mendor”, tha sociologu Konushevci .

Qytetarët të shqetësuar, kërkojnë ashpërsim masash ndëshkuese

Të shqetësuar janë edhe qytetarët për rritjen e këtyre rasteve. Qytetari Muharrem Jusufi tha se dhuna e tillë është e dhimbshme dhe tronditëse, duke shtuar se “po na qesh e gjithë bota me neve.”

Çka ke me pa, keq e më keq. Ne nuk jemi askund me asgjë, larg është puna jonë, vetëm Zoti nëse na qet në rrugën e tij. Me dalë dhe me vra gruan po si me vra, pa e lënë mendtë… Njërin plus gruan e huaj, për çka, për asnjë interes nuk bëhet ajo punë, ne e bëjmë. Është e dhimbshme, çka duhet me qenë më e dhimbshme se kjo çka na ka gjet neve askush nuk është kështu, nuk jemi askund fare. Diskriminim me vra femër ditë të sotit në shekullin 21. Po na qesh e gjithë bota. Tragjedi”, ka thënë Jusufi.

Ndërsa qytetari tjetër, Mirsad Krasniqi, shprehu shqetësimin për intensifikimin e kriminalitetit, duke kërkuar dënime më të ashpra dhe një forcim të ligjeve.

“Fatkeqësisht është alarmuese. Për aq pak kohë të tri vrasje. Kjo nuk i ka hije askujt. Të tjerët nuk po bëjnë kështu, por ne po i bëjmë të gjitha të këqijat. Qytetarët të gjithë e dinë që nuk duhet të bëhen këto gjëra, kriminaliteti ka marrë hov. Pas një kohë dalin nga burgu, nuk bëjnë shumë burg, mund të vrasin përdhunojnë dhe askujt asgjë, ligjet duhet të ashpërsohen. Le të jetë dënimi shumë i rëndë”, shtoi Krasniqi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat