Poetët janë lisa që rrënjët i kanë thellë në tokën mëmë. Remzi Basha na jep një lirikë të pastër dhe një model së si shkruhet poezia, ku arti arrin të pasqyrojë estetikisht bukurinë e madhështinë dhe dashurinë e krenarinë për femrën shqiptare dhe vendlindjen e tij. Imagjinatë e bujshme, dritë mendimi, thellësi vargu, bukuri e ndjeshmëri. I ngritur në art, brenda tyre është shpirti krijuës poetik me ndjesi të ndërthurrura me shije. Të gjitha të shkrira në një, përmes një gjuhë të zgjedhur poetike dhe figuracioni artistik funksional, me mesazhë të bukura që na dhuron poeti humanist e atdhedashës. Një varg poezishë fantastike për dashurinë!
Poezi të shkruara me një zjarrmi të veçantë, me figuracionin të pasur të vënë plotësisht dhe me mjeshtëri në funksion të ideve dhe mesazheve poetike! Remzi Basha është poet dhe patriot. Poezia nuk do shkollë. Ajo është një dhunti që ia ka falur Zoti njeriut! Si gjithmonë, përshkrimet lirike të R. Bashës të bëjnë t’i lexosh me një frymë! Vargjet e tij janë plot ndjenjë e muzikalitet! Ta ka ënda ti lexosh, sepse të mbushin me ndjenja e me jetë. Respekt të pafund për poetin që na e përkujton rininë djaloshare dhe muzën e tij poetike përmes së cilës merr frymë për të vajtur nga drita në dritë.
Remzi Basha është një nga poetët më të talentuar të diasporës sonë. Ai shmang përdorimin e figurave abuzive të për të ruajtur dhe konsoliduar individualitetin e tij real dhe origjinal. Në këtë kontekst, në korpusin e tij letrar gjejmë poezi të mrekullueshme dhe atdhetare. Në përgjithësi, poezitë e Remzit bien në dy kategori kryesore: erotike dhe atdhetare. Vlen të theksohet se ai është një sentimentalist i ndërgjegjshëm dhe kjo anë e personalitetit të tij manifestohet në shumicën e krijimeve të tij. Ai është një nga poetët që, përmes veprës së tij kontribuon në kultivimin e dashurisë dhe atdhedashurisë, duke krijuar profile letrare të forta dhe të dallueshme.
Fjalët kanë fuqinë për t'i dhënë jetë një universi të pafund. Ata mund të sjellin në jetë një regjistër të pafund ideshë dhe ndjenjash. Pra, imagjinoni që keni në dorë një violinë që morët si dhuratë nga prindërit tuaj, domethënë një shpirt i ndjeshëm dhe delikat. Përmes saj, ju keni mundësinë të transmetoni dridhjet e dashurisë deri në fund të botës. Por kjo varet nga mënyra se si e mësuat artin e zhvendosjes në realitetin e ndjeshëm të aspiratave fisnike të shpirtit. Ky libër i ri përmban poema, duke përfunduar me biografinë e autorit. Mendimet e poetit janë flutura të metamorfozuara në mendime, të gjitha këto shndërrime përmes të cilave mendimet e poetit kalojnë përshkruajnë një profil origjinal lirik.
Poezia e Remzi Bashës është e ngarkuar me një pamje të veçantë, e cila tregon ndjenja me tema shpesh befasuese. Tek-tuk ballafaqohemi edhe me subjekte meditative. Zbulesat filozofike janë veshur gjithnjë në marrëdhëniet e thjeshta të jetës së përditshme. Tema e dashurisë gjendet në shumicën e poezive, pavarësisht nëse bëhet fjalë për shfaqjen e emocioneve të para në adoleshencë apo për atë që përmbushet përmes martesës, duke krijuar bukuri hyjnore, bukuri magjike, apo bukuri të bekuar. Bukuria apo hijeshia kondiderohen si një aspekt që e përgëzojnë, trimërojnë dhe lumturojnë njeriun që e posedon këtë. Bukuria në vargjet e Remzi Bashës është objektive që në shikim të parë. Përveç hijeshisë trupore ekziston edhe hijeshia shpirtërore. Kush i posedon këto? Njeriu i rëndomtë, burri, gruaja, fëmijët, aktorët, këngëtarët, foto-modelet, krijuesit apo kreatorët, dhe jo vetëm këta. Në këtë kategori inkorporohen edhe të shenjtërit, engjëjt, dielli, hëna dhe yjet, shpezët, kafshët, natyra, pranvera, lulet, malet, bjeshkët, ëndrrat, këngët, poezitë, pikturat etj.
Remzi Basha dhe kultivimi i bukurisë
Ekzistojnë citate të shumta personalitetesh të ndryshme për hijeshinë, që nga koha antike e deri në ditët tona. Bukuria personale është më e madhe se çdo rekomandim tjetër, thoshte Aristoteli. Nëse bukuria gërshetohet me dashuri, ajo rritet sepse dashuria është bukuria e shpirtit. Bukuria del në pah kur i shikon sytë e një femre dhe në të njëjtën kohë e sheh hijeshinë në zemrën e saj. Gjëja më e bukur që mund ta eksperimentojmë është misteri. Misteri është burimi i të gjitha shkencave dhe arteve. Dashuria ndaj bukurisë është shije. Krijimi i bukurisë është art. Kur arrin ta duash jetën, do të shikosh bukurinë në të gjitha gjërat. Çdokush që ka prirje për ta parë bukurinë, nuk mplaket kurrë. Ardhmëria u përket atyre që i besojnë bukurisë së ëndrrave të veta. Bukuria është premtimi i lumturisë. Jeta është e bukur. Përmes natyrës së tij, njeriu është artist. Në të gjitha mënyrat, ai kërkon të sjellë në jetën e tij bukurinë.
Bukuria është përjetësia që duket gjatë kohë në pasqyrë. E bukura është simboli i mirësisë morale. Bukuria e zgjon jetën e shpirtit. Hijeshia e gjërave ekziston në shpirtin e atij që i adhuron. Bukuria e vërtetë buron nga modestia dhe thjeshtësia. Ka edhe shumë për të thënë për bukurinë, por tani po kalojmë te vlerat artistike të diasporës sonë. Remzi Basha është vizionar dhe misionar që paralajmëron kohën e lulëzimit të mollave të pjekura nën hijen e zogjve të qiellit. Nën shenjën e një vepre poetike dimensionesh të mirëfillta estetike, Remzi Basha inkorporohet në rradhën e luftëtarëve të implikuar me qëndresë historike për rikuperimin e të shkuarës së famshme të Dardanisë së lashtë. Vargjet e tij janë thesarë përkujtese dhe mosharrese për ardhmëri, dashuri dhe atdhedashuri. Ato shëmbëllejnë me bukurinë e zanave, të vreshtave dhe të lisave që i përmend në shkrimet e tij.
Duke u bazuar në parimin se "kush harron nuk meriton", librat e Remziut janë kushtrime luftarake në gjirin e bekuar të popullit shqiptar, ngase poeti është gjithmonë frymëmarrja e pashuar në krahërorin e kombit të ndodhur gjithmonë në peshoren e një fati historik. Vëllimi respektiv na udhëzon për t’u ngrohur me flakën e gjallë të dashurisë, duke lexuar për trimëri dhe dashuri, për histori dhe tradita, duke reflektuar të vërtetën se shkojmë nëpër vende të huaja, siç të huajit vijnë në vendin tonë. Vargjet e Remzi Bashës janë perla të kristalta që gurgullojnë si krojet e Dardanisë.
Poeti na flet për bërthamat e hatashme që trokasin në portat e mikpritjes, pa harruar të kthehen atje ku kanë lindur. Ai na i përkujton shpërnguljet e gjata me fëmijët që rriten mbi shalët e kuajve dhe me fotografitë e atyre që kanë rënë në luftërat e shenjta të pavarësisë, duke i fshehur fotografitë nën këmishë, pranë përpëlitjes së zemrës për t’ia përlindur krenarinë, duke i rikthyer të vdekurit nga pavdekësia e tyre. Ekziston diç e rëndë, e bukur dhe ashpër në poemat e këtij vëllimi, diçka që shëmbëllen me refuzimin e lotit, duke e gulçuar qarjen, mëshirën dhe nënshtrimin, pa e harruar kuptimin e dashurisë dhe etjes për komb dhe atdhe. Remzi Basha ka talentin e një kronisti të zellshëm dhe vizioni të qartë për ringritje dhe mikpritje edhe atje ku ka mbetur një fije kullose e paprekur.
I madh duhet të jetë populli që i jep poetë të këtillë botës, burra të këtillë që posedojnë fuqi hyjnore për trumfin e lavdishëm të lirisë. Rrënjët e qëndresës shqiptare janë të denja për admirim. Në historinë e Kosovës, i varrosin ato, edhe në vargjet e poetit, dhe i mbështjellin me ngjyrat e ylberit që të lindë nga to lulja e lirisë dhe gjaku i martirëve të kombit që kanë rënë për një dritë të re, për një ardhmëri më të mirë, për buzëqeshje dhe dashuri, për dashuri dhe këngë. Poeti është vizionar dhe misionar që paralajmëron kohën e lulëzimit dhe mollave të pjekura nën hijen e zogjve të qiellit, nën dritën e një qielli ku lisat lëshojnë rrënjë tejmatanë brigjeve të përjetësisë.
Në këtë kontekst, të denja për admirim janë edhe vizionet ku takohen zanat, të shkruara në korniza vargjesh të shkurta, të qarta, me mesazhe të padyshimta, dhe duke u bazuar më shumë mbi këtë se sa mbi njëfarë shkëlqimi të metaforës. Flaka e gjallë e dashurisë e plason Remzi Bashën në galerinë e lavdishme të farkëtarëve të vargut dhe historisë, atje, në atdheun e tij, sa në Kosovë, po aq edhe në vetëdijen evropiane të sivëllezërve të tij në veri të kontinentit. Kosova ka mbi njëqind poetë tjerë të mirëfilltë që meriton t’i njohim, ngase fjala është për një çerdhe botërore e dashurisë dhe trimërisë, me do vargmalesh kreshnike dhe lëndiansh magjike ku nuset hedhin valle, duke imituar zanat që depërtojnë përtej vetëdijes sonë. (Bukuresht, 1 Korrik 2021)
ZANAFILLA
Botën e krijoi një zot dardan
Në qarkun e poçarit të tij
Duke marrë lym e ujë
Nga Drini e duke i vaditur
Në mendimin e tij deri te drita...
Por, gruaja shëmbëllente me shtambën
Dhe kur e ngriti të pijë, poçari u deh
Dhe pëllëmbët e tij, pa e ditur
E përkëdhelën shtambën
E përmbysur përbri
Dhe atëhetë u lind kënga...
KONCEPTI PËR TË VERDHËN
Një ditë, të ecurit e Afërditës
E shëndriste qytetin e kotur
Në bulevardin e verrdhë...
Orët rrëshqisnin nga drurët
Fontanat davariteshin në qetësi
Mbi të cilat u degdis një vashë
Në qendër të qytetit
E ndrojtur nga shtrëngimi
I butë i bluzës...
Është një ndjenjë mitare
Në fytyrën e ujit
Një buzëqeshje vjeshtake e heshtjes
Mbi turnet e velura, mbi harkun
E qerpikëve tu që përpëliten...
E martë është. Uji shushuritës
Shelgjishtes shkon dalngadalë
Duke u dlirë si në pysqyrë
Për të na përvetësuar në rikthime...
Diçka e dhembshme është
Ndoshta plapuritjet tona
Të përgjumura nëpër qytetin
E shtruar me ngjyra
Ndoshta një heshtje e vjeshtëruar
Një mjegull, një dëshirë e përsosur
Diçka e dhembshme është
Ndoshta të ecurit e Afërditës
Në muzgun e magjepsur
Nga verrdhëzia e të ecurit e saj
Që shëmbëllen me
Buzëqeshjet e krizantemës...
ACARI I PËRKDHELSHMËRISË
Në vitin e librit tëpashkruar
Kaloi një grua nëpër ëndrrën e poetit
Duke e tjetërsuar orarin
E përqëndruar tënatyrës...
Qershitë e Sllapuzhanit dhanë
Rendimente të larta fluturash
Derisa nga trungjet e mollëve
Shihej duke dalur
Mbrëmje për mbrëmje
E panjohura...
Me trupin e drobitur
Nga acari i papërkdhelshmërisë
Atëherë kur fluturimtari
Që zotëronte mbi popujt e mëdhenj
U fanit nga një sëmurje e fshehtë
Dhe dergji pesë stinë
Duke premtuar se për barëra
Do t’ia dhurojë jetën gruas...
Është ajo që e bindte poetin
Të tërhiqet vullnetarisht
Në kështjellën e mbrëmjes
Duke e dekretuar me kujdes
Gjendjen pranverore
Anembanë planetit...
FSHEHTËSITË E HESHTJES
U degdisën fjalët nga vjeshta ime
Lind pikëllimi në ëndrrat lakuriqe
Dallga dëgjohet duke i rendur hergjelet
E vetmuara të çuditshmërisë...
Prej tani zogjtë e dimrit
Po vijnë nga veriu
Do t’ua mësoj tingujt e acarit
Hija po derdhet drejt tokës
Netët e gjata do të qasen dalngadalë
Për të m’i thënë fshehtësitë e heshtjes
Të pazbuluara prej askujt...
Drurët deri vonë
Do të shpërlajnë eshtra fosforikë
Në dritaret e muzgëta
Pa e ditur se stinët
E njeriut nuk kthehen asnjëherë...
LASHTËSI I PAPLAKUR
Posejdoni dhe Afërdita
Me bukurinë e tyre hyjnore
I bënin edhe engjëjt të qajnë
Pa i goditur ata që s’kishin faj
Pa bërë mëkat për ta prekur.
Ishin prekje të lezetshme
Në lashtësinë e paplakur
U tundën malet dhe kanunet
Bjeshkët dhe kodrat u tundën
Edhe pse askush s’ishe mëkatar
Zoti im i mirë dhe i përjetshëm!
Posejdoni ishte perëndi i detit
Kurse unë po ia dërgoja valët
Pa u bllokuar në kthetrat e harresës
Duke dashur të të sjell tek unë.
Po ku je moj Afërdita ime
Perëndeshë e pasioneve të mia
Unë desha të të bëja dashnore
Në rrugëtimin tonë
Në drejtim të yjeve....
DEKLARATË DASHURIE
Do të doja të isha çsti
I vjedhur kur gozhdat
E murit të vjetër
Do të kapen rastësisht
Në fillesat të kohës...
Do të dëshiroja të isha
Rrjedha e vullnetshme
Kur flokët e Afërditës
Derdheshim me kujdes
Në një gjest të filtrimit
Përmbi supet e Olimpit...
Do të dëshiroja të isha
Në valë e deshur puthjesh
Kur në lashtësi
Ujërat e Posejdonit të zemëruar
Hidheshin me xhelozi
Në kupën e ëndërrimtarit
Të lindur për dashuri...
AFËRDITA
Në detin e rrahur nga stuhia
Në gjoksin e shkumës së shkumëzuar
Në krahun e saj të rrëmbyeshëm
Hëna ishte duke fjetur si një rreze hëne.
Serenatat me tingujt e artë
U bashkuan në ujërat e vreshtit
Të lindur vetëm për puthje e dashuri
U zalisën lulet e përkulura
Dhe kaosi i zhurmshëm
Kur mishërimi i parë i farës
U bë një vidhë e nxehtë -
Gruaja, amfora e lavdisë...
Ajo u trondit me butësi të butë
Balli i saj i kthjellët
Me shenja në formë yjesh
Nga rrokullisja e valëve
Të detit të përbujshëm...
PREKJET E DASHURISË
E ëmbël është
Prekja e dashurisë
Thesar i çmuar
Lëvizje e rrotullim
Nxitje në çastin
E prekjes së parë...
E bukur është prekja
Çelësi i saj është
Lulishte trëndafilash
Me erëtimë të këndshme...
Prekja e saj është
Rreze dielli
Që depërtonnë gjak...
Prekja e dashurisë është
Shpresa e përjetshme
Për të vajtur së bashku
Në trojet e përjetësisë...
Dashuria është
Fole e fantazisë
Lëvizje e gjallëri
Fluturim i gjallë
Nga toka në qiell...