Fragment nga romani "Ti" i Ilir Muharremit.
"Serbët u pozicionuan, filluan ta kthenin zjarrin në drejtimin tonë. E në të njëjtën kohë i vrisnin edhe civilët, të cilët filluan të iknin në drejtim të panjohur përgjatë fushës së gjelbër. I vrava tre, katër, tashmë u bënë pesë paramilitarë. Breshëri plumbash nga të gjitha anët, qëndroja i fshehur pas një peme dhe e drejtoja tytën e automatikut në drejtim të tyre.
Gjuaja si i çmendur. Civilët pothuajse i vranë të gjithë. Serbët ngadalë vërsuleshin në drejtimin tonë, ndërsa UÇK-ja qëndronte stoike dhe kishte të vrarë nga ana jonë, po ashtu edhe nga ana e serbëve. “Thyejani hundët serbëve!”, - bërtiti komandanti. “Mbani pozicionet tuaja, mbulojeni njëri-tjetrin!”,- dëgjohej zëri i tij i cili tashmë ishte shterur.
“Nuk do të zgjasë shumë, ndoshta njëzet minuta.”, - tha ai. “Duhet të durojmë. ”Thyejani hundët edhe atij zvarraniku! Nxërjani lepurin nga barku!”, - bërtiste sa mundte komandanti i cili gjuante breshëri
plumbash të mallkuar. Një plumb si rrufe, ndonëse ishte tinëzar e goditi në gjoks komandantin. “U plagos komandanti!”, - bërtita dhe vrapova në drejtimin e tij për t’ia dhënë ndihmën e parë..."