Bardhi është kryepersonazh i romanit “Agimi i një stine” të shkrimtarit Shefki Përvetica, nëpërmjet pikëvështrimit të të cilit mbarështrohet ngjarja e veprës, theksohen andrallat dhe priten përfundimet.
Ai është një hero i idealizuar që mëdyshjet dhe dhembjet e veta do t’i mbajë gjithnjë nën kontroll të arsyeshmërisë.
Nëpërmjet këtij personazhi (kryepersonazhi) shkrimtari ia ka dalë me sukses ta ndërtojë individualitetin e njeriut me karakter të fortë, i gatshëm për t’u sakrifikuar për lirinë e atdheut.
S’do mend se romani “Agimi i një stine” është i zhanrit të romanit historik, që për temë bosht e ka heroizmin e bijave dhe bijve të pupullit tonë, të rreshtuara në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe qëndresa dhe lufta e tyre kundër pushtuesit shekullor gjatë viteve 1998-1999...
Autori u lind më 1 shkurt 1966 në fshatin Popovë, ku edhe e filloi shkollimin fillor, për ta vazhduar në Podujevë. Aty e kreu edhe shkollën e mesme, drejtimi Teknik i Bujqësisë. Pastaj regjistrohet dhe i vazhdon studimet në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, në degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe.
Me krijime letrare filloi të merrej qysh si nxënës i shkollës së mesme.
Sot, ky shkrimtar i talentuar shkruan tregime të shkurtra poezi dhe kryesisht e kultivon prozën (romanin).
Ka botuar këta libra: “Eja, Pranverë” (poezi), Prishtinë, 2018; “Dromca kulturore në një kohë të përflakur” (monografi për SHKAA “Rinia” të Podujevës), Prishtinë, 2019; “Historia në kornizë” (tregime), Prishtinë, 2019; “Dora e pajtimit”, (roman), Prishtinë, 2019; “Nusja e mërgatës” (roman), Prishtinë, 2020; “Trandje zemrash” (roman); Prishtinë, 2020.